Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka komentuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti, i cili të enjten tha se do ta ndihmonte opozitën për ta rrëzuar atë nga pushteti.
Deputeti Hoxhaj këtë ftesë e ka cilësuar si taktikë të manipulimit në përpjekje për ta hutuar qytetarin për paaftësitë e qeverisjes së tij.
Hoxhaj ka thënë se duhet një front i madh e i përbashkët kundër Kurtit, siç ka thënë ai jo vetëm i opozitës, por edhe medial, shoqëror, i biznesit e i shoqërisë civile, në të kundërtën Hoxhaj thotë se do të përsëritet historia e njëjtë edhe pas zgjedhjeve.
“Është i domosdoshëm, është nevojë, e pashmangshme se unë e shoh që ky vend ka hy në një boshllëk, në një vakum dhe ne këtë vakum, gropë të madhe që e ka ndërtu Kurti, mund ta rikthejmë në fundamente të forta vetëm nëse bëhemi bashkë, po së bashku nuk i bie vetëm partitë në opozitë, por edhe mediat, edhe shoqëria civile, akademikët, bashkësitë fetare edhe biznesi. Kushdo që u beson idealeve të një Kosove të pavarur, ne besojmë që idealet tona janë të drejta duhet ta bëjmë një gjë të tillë.
Çdo përpjekje e partive në opozitë të mos mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, kjo deklaratë, ajo deklaratë, ky qëndrim, ai qëndrim do të na siguronte tre deputetë më shumë, kush do të jetë i dyti, i treti, i katërti, Është pa vlerë pa një front të përbashkët tematik, përmbajtësor, politik, shoqëror, të biznesit, medial të shoqërisë civile”, ka thënë Hoxhaj.