Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sindikata e policisë në pritje të takimit me ministrin Sveçla

 
   

Janë bërë më shumë se tre muaj që kur pjesëtarët e Njësive Speciale kanë protestuar para objektit të Qeverisë. Ani pse iu është premtuar një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kjo ende nuk ka ndodhur. Derisa kërkohet që takimi të realizohet dhe kërkesat e policëve të plotësohen.

Në fillim të dhjetorit, mbajtën protestën e dytë para objektit të Qeverisë së Kosovës. Pjesëtarë të Njësive Speciale të Policisë, por edhe njësi tjera, shprehën pakënaqësitë e tyre me Ligjin e ri të Pagave.

Pas kësaj proteste, atyre iu premtua një takim me zyrtarë të Sindikatës së Policisë së Kosovës për gjetjen e një zgjidhjeje.

Por, ani pse kanë kaluar tre muaj, një takim i tillë ende nuk ka ndodhur.

E këto po i sheh si të papranueshme ish-nënkoloneli i Policisë, Refki Morina.

Kryesia e Sindikatës së Policisë ka pas një takim me ministrin por ndërkohë ky takim është shtyrë edhe pritet këto ditë të mbahet takimi. Mendoj se Njësia Speciale dhe të gjitha njësitë që operojnë në veri por edhe Policia në tërësi duhet të zbatohet ligji dhe të plotësohen kushtet e tyre që Sindikata i ka kërkuar sepse ekzistojnë baza juridike dhe ligjore e tyre”, ka deklaruar Morina, për tëvë1.

Ai vlerëson se nuk është dashur të pritet kaq gjatë për këto kërkesa, derisa shprehet optimist të njëjtat do të realizohen.

Unë mendoj se nuk është dashtë të zgjatet protesta, por në bazë të informatave që i kam brenda ekziston një pajtueshmëri që domethënë të veprohet nga ministri dhe Qeveria t’iu plotësohen kushtet njësisë special dhe të gjitha njësive në gjithë vendin konform ligjeve dhe dispozitave juridike. Mendoj se është një disponim i mirë dhe në të ardhmen jo fort të largët do të plotësohen kërkesat e tyre”, tha Morina.