Sot mbushet një çerek shekulli që nga fillimi i intervenimit ushtarak, i cili nuk u dëshirua nga askush, thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadave të Francës, Italisë, Gjermanisë, Norvegjisë, SHBA-ve dhe Britanisë, e cila u publikua në faqen zyrtare të ambasadës britanike. “Nova” transmeton “Bota Sot”.
Operacioni i forcave aleate u krye si përpjekje e detyruar për të ndaluar keqtrajtimin e banorëve civile në Kosovë, për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe për të mundësuar kthimin e banorëve të zhvendosur dhe të dëbuarve, ndërsa organizatat humanitare mund të ndërhyjnë në Kosovë.
Pas përpjekjeve diplomatike për të bindur Millosheviçin për zgjidhjen përmes bisedimeve dhe për paqen në Kosovë, u nis operacioni ushtarak, i bazuar edhe në marrëveshjen e Rambujes dhe zbatimin e rezolutës 1199 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar në kuadër të Kapitullit 7 dhe mbështetur nga Rusia.
“Operacioni ushtarak nuk ishte ndërmarrë kundër popullit serb, dhe ne ndjejmë keqardhje për jetët e humbura në të dy anët, në Kosovë dhe në Serbi. Sot përkujtojmë jetët e humbura të personave të pafajshëm dhe punojmë për të ardhmen e përbashkët me Serbinë dhe Kosovën në familjen evropiane”, thuhet në deklaratën.
Ambasadorët mbështesin gjetjen e një zgjidhjeje për kontestin midis Kosovës dhe Serbisë, që është një çështje urgjente e sigurisë në Evropë. Ata besojnë se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, e arritur me ndërmjetësimin e BE-së, është rruga më e mirë drejt përparimit, paqes dhe stabilitetit në përfitim të popujve të Kosovës dhe Serbisë.
“Ushtria e Serbisë bashkëpunon gjithnjë e më ngushtë me aleancën e NATO-së dhe partnerët evropianë dhe merr pjesë në misione të përbashkëta të mbrojtjes dhe sigurisë. Partneriteti është mënyra se si mund të ndërtojmë së bashku një të ardhme të qetë dhe stabile, ashtu siç e meritojnë popujt tanë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadave të vendeve perëndimore.