Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në një prononcim për mediat, ka vlerësuar se rreziku nga një sulm i Serbisë është aktiv, derisa grupi i terroristit Milan Radojiçiç i cili udhëhoqi grupin paramilitar serb gjatë sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, vazhdon të qëndrojë në kufi të Kosovës.
Hoxha ndër të tjera ka nënvizuar se Policia e Kosovës ka vërejtur lëvizje të forcave serbe në kufirin e vendit, për çka shtoi se i kanë monitoruar në bashkëpunim edhe me KFOR-in dhe EULEX-in.
“Policia e Kosovës i ka kapacitetet e veta edhe në funksion edhe të ngritura në nivelin më të lartë të gatishmërisë me qëllim që çdo sulmi e tentative t’i dilet ballë me i dal ballë. Ka pas lëvizje të forcave serbe në kufi të Republikës së Kosovës ne i kemi vërejtur dhe i kemi monitoruar. Faktikisht ne jemi duke punuar me KFOR-in dhe EULEX-in”, ka potencuar ai.
I pyetur për takimin që ai ka zhvilluar dje me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, Hoxha ka deklaruar se janë adresuar kërkesat e Sindikatës së Policisë së Kosovës.
Në takimin e djeshëm të Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Sindikatës së Policisë së Kosovës, Hoxha tha se kanë diskutuar për adresimin e 14 kërkesave.
“Po punojmë që në vazhdimësi t’i adresojmë kërkesat e Sindikatës dhe Policëve tanë duke filluar nga kushtet e punës, uniformës, ushqimit, transportit”.