Dy persona mbetën të vrarë pas të shtënave me armë zjarri në mes dy grupeve në rrugën “Jeronim de Rada” në Prishtinë të martën e 26 marsit.
Për rastin, siç bëjnë të ditur burimet e kallxo janë ndaluar dy persona, teksa veprimet hetimore janë duke vazhduar ende.
Kryesit e mundshëm në këtë rast ende nuk janë arrestuar, ani pse ata janë të identifikuar, mirëpo siç edhe është konfirmuar edhe nga organet e rendit të njëjtit janë ende në kërkim.
Një burrë vdiq dje dhe një grua tjetër vdiq sot në QKUK si pasojë e të shtënave me armë zjarri në rrugën “Jeronim de Rada” në Prishtinë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se viktima Z.G 48-vjeçare, është qëlluar nga arma e zjarrit derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj dhe se e njëjta nuk ishte e pjesë e palëve të përfshira në rast.
“Në këtë rast katër persona kanë marrë lëndime nga arma e zjarrit (dy nga ta lëndime të rënda), ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime nga goditja e njërit prej automjeteve të përfshira në rast” – thuhet në njoftimin e policisë.
Më herët, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje në lidhje me këtë vrasje.
Sipas Prokurorisë, një person ka mbetur i vrarë, ndërsa tre të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri.
“Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, ju njoftojmë se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me njësitet relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore në vendin e ngjarjes. Sipas hetimeve preliminare, dyshohet se nga të shtënat me armë zjarri është vrarë një person, ndërsa tre persona të tjerë janë plagosur”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja, veturë e prova të tjera materiale, të cilat do të shërbejnë në procedurën penale, po ashtu po zhvillohen hetime për arrestimin e të dyshuarve.