Deputeti i Danimarkës nga socialdemokratët, anëtar i delegacionit danez në KiE, Jensen Mogens, ka përgëzuar votimin e sotëm në Komitetin Politik të Këshillit të Evropës për Kosovën.
Në platformën X, ai ka thënë se Danimarka e ka mbështetur këtë veprim për një kohë të gjatë.
“Një shumicë e madhe e Komitetit Politik të Këshillit të Evropës rekomandon në takimin e sotëm që Kosova të pranohet anëtare e Këshillit të Evropës. Në Danimarkë, ne e kemi bërë këtë për një kohë të gjatë”, tha ai.
Tani, sipas tij, duhet të kalohet në një PO në Parlament dhe në Këshillin e Ministrave.
Komiteti Politik i Këshillit të Evropës, sot votoi me shumicë votash Raportin e raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis.
Pas këtij votimi, që Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota në KiE, duhet të votohet edhe në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, e më pas në Këshillin e Ministrave të Punëve të Jashtme.