Kur të tjerët janë ende duke fjetur, Lorenc Dhimitri merret me mbledhjen e inerteve dhe zbrazjen e kazanëve të mbeturinave në qytetin e Ersekës.
NJË NGA NE/ Lodhjen dhe paragjykimet i harron kur shikon qytetin e tij të pastër.
Kur të tjerët janë ende duke fjetur, Lorenc Dhimitri merret me mbledhjen e inerteve dhe zbrazjen e kazanëve të mbeturinave në qytetin e Ersekës.
“Çohem gjithmonë në orën 5 për të kontribuar për një qytet më të pastër”, tha ai në emisionin “Një nga Ne” në Report tv.Mbajtja pastër e qytetit është domosdoshmëri për shëndetin, sigurinë dhe pamjen e tij. Megjithatë, këta punonjës qëndrojnë shpesh në hije dhe përbuzen nga qytetarët.
“Çne ti të bësh këtë punë?!”
Komente të kësaj natyre, 49 vjeçari i hodhi pas krahëve. Puna nuk është turp, ndaj e pranoi pa hezitim kur ia ofruan.
1 dekadë mes paragjykimeve, lodhjes, vështirësive, por edhe kënaqësisë kur shikon qytetin të mirëmbajtur.
“Pastrimi është gjëja më prioritare për njeriun. Lodhja kuptohet, por kur puna del ashtu siç duhet, kënaqësia është e madhe. Të them të drejtën do doja të funksionoja me zanatin tim, me gurin”.
Më herët ka punuar gurgdhendës në Greqi. Kriza në shtetin grek e detyroi babanë e dy fëmijëve të rikthehej në vendlindje. Ëndrra iu ndërpre në mes, por nuk mbeti e fjetur në sirtar.
Lorenci dëshiron që të hapë një ekspozitë ndaj prej 2 vitesh po punon fort për ta realizuar këtë objektiv.
Sapo mbaron me pastrimin e qytetit, merr mjetet e punës dhe gdhend gurin. Herë pas here merr dhe ndonjë porosi, por nuk mjafton për të mbajtur familjen.
“Kur bën zanatin që dashuron nuk ndjen lodhje dhe mërzitje. Zhurma e çekanit është muzikë”
Me thjeshtësinë dhe sinqeritetin që e karakterizon na rikthen në vëmendje rëndësinë e profesioneve që shpesh herë nuk vlerësohen sa duhet.
Megjithatë, dikush duhet t’i bëjë këto punë sepse vetëm kështu mund të funksionojë bashkëjetesa në komunitet.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00 në ekranin e Report Tv.
B.K/Shqiptarja.com