Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kosova drejt Këshillit të Europës, Begaj: Arritje e merituar

 
   

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka quajtur një arritje të merituar vendimin e Komisionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të rekomanduar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Begaj vlerëson se kjo dëshmon përkushtimin e palëkundur politik të Kosovës ndaj vlerave evropiane.

“Arritje e merituar e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës. Kjo dëshmon përkushtimin e palëkundur politik të Kosovës ndaj vlerave dhe standardeve evropiane”, ka shkruar Begaj në X.

Në mbledhjen e mbajtur nga Komiteti i Çështjeve Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Paris më 27.03.2024 është rekomanduar që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

Anëtarët e delegacionit të Kosovës në Këshill të Evropës kanë njoftuar që është votuar në favor të Kosovës raport- opinioni i raportueses Dora Bakoyannis në mbledhjen e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci, me 31 vota për dhe 4 kundër.

Hapi i radhës, sipas këtij komiteti, do të jetë më 18 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte katalizator që “Kosova të vazhdonte të bënte përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit si dhe të adresojë sfidat dhe çështjet shqetësuese”, tha Komiteti për Politikë dhe Demokraci.