Prishtina dy net më parë u trondit nga një ngjarje e rëndë që ka ndodhur në rrugën ‘Jeronim De Rada’, ku si pasojë e një përleshjeje mes dy grupeve, ka mbetur i vrarë me armë zjarri i riu, Egzon Haziri, teksa u plagosën edhe tre persona tjerë. Në mesin e të plagosurve ishte edhe Zejnije Gashi, e cila nuk arriti t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ndërroi jetë dje në spital.
Familjarë, miq e të afërm do të mblidhen sot për t’i dhënë lamtumirën e fundit 48-vjeçares.
Sipas njoftimit të familjes, ceremonia mortore do të mbahet me kohën e ikindisë në varrezat e qytetit në Arbëri.
E ndjera ka lënë pas vetes bashkëshortin dhe katër fëmijë.
Katër personat që po dyshohen për plagosje dhe vrasje, të cilët ndodhen në arrati tashmë janë shpallur në kërkim nga Policia.
Fitim Doda dhe Arijan Sijarina dyshohen për tentim vrasjen në lagjen Kolovicë, në orët e pasdites, ndërsa vëllezërit Naim dhe Ahmet Berisha po kërkohen për vrasjen e rëndë, që ndodhi në mbrëmje.
Edhe pse po hetohen si dy raste, motivi dyshohet se lidhet me konfliktin pas plagosjes së Naim Berishës, viktimë e rastit të parë dhe i dyshuar për rastin e dytë.