Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dita nis me mot të kthjellët, temperaturat arrijnë deri në 22 gradë

Shqipëria do të paraqitet nën ndikimin e motit të kthjellët deri pas mesditës, kur priten kalime vranësirash të lehta nëpër të gjithë vendin por më të theksuara vranësirat do të jenë në zonat veriore dhe verilindore të territorit.

Parashikohet që pasditja dhe në vijim të karakterizohen nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta në të gjithë vendin por nuk priten reshje në territor.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje si në vlerat minimale edhe në ato maksimale duke luhatur vlerat ditore nga 4°C deri në 22°C vlera më e lartë në rang vendi.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi mbi 35 km/h nga drejtimi kryesisht Veriperëndimor duke sjellë në brigjet detare dallgëzim mbi 2 ballë.

Kosova

Republika e Kosovës do të paraqitet nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme, duke sjellë mot të kthjellët dhe vranësira të lehta në të gjithë territorin ku më të dukshme vranësirat do të jenë në zona veriore dhe veriperëndimore por nuk priten reshje. Po ashtu pjesa e dytë e ditës do të vijojë me kushte të qëndrueshme atmosferike duke bërë që kthjellimet dhe vranësirat e lehta të jenë dominante. Ndërkohë temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në mëngjes por do të rriten edhe maksimumet duke luhatur vlerat ditore nga 2 gradë C vlera më e ulët deri në 16 gradë C vlera maksimale në rang territorit. Era do të paraqitet mesatare dhe hera-herës e fortë duke arritur shpejtësi maksimale mbi 35 km/h nga drejtimi permanent Verior.

Maqedonia e Veriut

Masat ajrore të qëndrueshme do të diktojnë kushtet e motit në të gjithë republikën e MV duke sjellë kthjellime dhe vranësira kalimtare ku më të theksuara vranësirat do të paraqiten në zonat perëndimore – jugperëndimore të MV. Orët e pasdites; do të shtojnë vranësirat në pjesën më të madhe të MV por nuk priten reshje. Parashikohet që kjo situatë e qëndrueshme atmosferike të na shoqërojë deri mëngjesin e së shtunës. Për sa i përket temperaturave të ajrit do të pësojnë rritje si në vlerat e mëngjesit edhe në të mesditës duke u luhatur nga 3°C minimalja deri në 19°C vlera maksimale në rang territori. Era do të fryjë mesatare deri e fortë përgjatë gjithë 24 orëshit duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 35 km/h nga drejtimi Verior dhe Veriperëndimor.

Europa

Nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike do të paraqiten gadishulli i Ballkanit, brigjet e Egjeut si edhe brigjet e detit të zi ku moti i kthjellët dhe temperaturat relativisht të larta do të jenë dominante ndërsa e gjithë pjesa tjetër e kontinentit Europian do të dominohet nga masa ajrore të paqëndrueshme ku vranësirat dhe reshjet do të jenë prezente. Konkretisht ishujt britanikë, gadishulli Iberik si edhe Europa qendrore do të dominohen nga rrebeshe shiu si edhe stuhi të forta ere ku problematike situata do të jetë në Spanjë, Britani, Holandë e Belgjikë. Për sa i përket gadishullit të Skandinavisë do të mbizotërohet nga reshje të dendura dëbore si pasojë e temperaturave të ulëta./abcnews.al