Ish-zëvendësministri i Jashtëm në Qeverinë e Kosovës, Anton Berisha, deklaratat e partive politike lidhur me zgjedhjet e përgjithshme i sheh si pjesë e të bërit politikë siç bën Kosova, “të pasinqertë në qëllime”.
“Ata duhet ta kenë të qartë se pse duan zgjedhje dhe opozita gjithashtu duhet ta dinë se si duhet të shkojnë në zgjedhje”, tha Berisha, teksa shtoi se kësaj qeverie nuk duhet t’i mundësohet t’i ndërpritet mandati e pastaj të ankohet te elektorati se nuk ka pasur kohë për t’i realizuar premtimet, të cilat, sipas tij, asnjëra nga ato nuk janë realizuar.
Tutje, Berisha tha se nuk është mirë të shkohet në zgjedhje.
“Jam kundër mbajtjeve të zgjedhjeve tani, para kohe. Opozita duhet ta lë këtë qeveri ta kryej mandatin qeverisës”, deklaroi Berisha, në “InfoPlus”.
Më tej, ai shtoi se Kurti do të zbatojë marrëveshjet ndërkombëtare, por, siç u shpreh, tërthorazi.
“Gjithçka që bën ai (Kurti, v.j.), përpiqet për të pasur efekt politik e jo shtetëror”, tha Berisha.