Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Enver Petrovci reagon sërish: Disa s’do të përfundonin në krye të shtetit po të mos ishte lufta

 
   

Aktori i njohur Enver Petrovci ditë më parë lëshoi një deklaratë për ish-krerët e shtetit dhe për UÇK-në, në një emision të Adelina Ismajli, e cila nxiti reagime të shumta.

Petrovci ka reaguar me një shkrim të gjatë në Facebook-un e tij, ku ai ka shkruar përsëri se “disa s’do të përfundonin në krye të shtetit po të mos ishte lufta”.

“Nuk kam hezituar asnjëherë t’a them mendimin tim të lirë, të pastër dhe të sinqertë në asnjë intervistë që kam dhënë nëpër media. Ka mundësi që në ndonjë prononcim mund të jem keqkuptuar dhe keqinterpretuar. Por gjithashtu ka ndodhur shpesh që ndonjë fjali të hiqet nga i tërë konteksti i mendimit, dhe kështu të keqintpretohet dhe përgojohet intervista. Me qëllim apo pa qëllim, e dijnë ata vet.”

“Kështu ndodhi edhe në intervistën me Adelinën I. Po, kam thënë se disa nuk do të përfundonin në krye të shtetit po të mos ishte lufta. Dhe kjo është e vërtetë, ashtu si nuk do të ishte Titoja ai që u bë, por do të mbetej një mekanik, (pjesë e hequr nga intervista) siç edhe ishte, po të mos ndodhte lufta e dytë botërore. Disa njerëz i bie koha, e disa puna. Si do që të jetë, më vjen keq për ata që u ndien keq me përmendjen e profesionit të mësuesit apo bodyguardit.” – ka shkruar Petrovci në Facebook.

Tutje, Petrovci ka thënë se ushtarët e vërtet të UÇ-së nuk janë ndjerë të ofenduar, por sipas tij janë në të njëjtin mendim me të.

“Dhe e githë kjo, solli një vërshim fyerjesh, etiketimesh, njollosjesh e linçim gjysëmkolektiv në mediat e portalet tona. Nuk ndihem i goditur, sepse e vërteta është në anën time dhe qëndroj prapa saj me gjithë kapacitetin tim njerëzor, edukativ dhe intelektual. Qenka vallë jo njerëzore të mos e them një të vërtetë? Jam i sigurt se ushtarët e vërtetë të UÇK-së, nuk janë të ofenduar, të them më saktë se janë të një mendimi me mua.” – ka shkruar ai ndër të tjera.

Postimi i plotë i tij:

E ndjej të nevojshme t’i drejtohem opinionit publik me një prononcim të shkurtër në lidhje me një fushatë të orkestruar e linçuese të disa portaleve (shembuj tipik të anti-vlerave), mediave dhe individëve pas intervistës sime me Adelina Ismailin. Nuk dëshiroj të hyj në arsyet e ketij linçimi edhe pse arsyet mund t’i supozoni edhe vet ashtu si i kam të qarta edhe unë.

Unë nuk kam nevojë të flas këtu për aktivitetin tim profesional, flasin profesionistët e fushës.

Nuk kam arsye të flas për punën shumëvjeçare me studentë, flasin ata vet dhe të arriturat e tyre.

Nuk kam arsye të flas për themelimin e dy teatrove këtu në Kosovë, flasin teatrot vet.

Nuk kam arsye të shpjegohem se pse lëshova Beogradin në kulmin e karrierës sime në kohët më të vështira për Kosovën.

Nuk kam arsye të flas për ushtarët e UÇK-së dhe respektin e thellë që kam për sakrificën e tyre.

Nuk është faji im dhe as nuk është faji i ushtarëve të lirisë, që disa, në emër të luftës e njollosën në masë të madhe sakrificën sublime të ushtarëve të lirisë, me të bëmat e të pabëmat e tyre, e që i di i mbarë opinioni. Këtë zhgënjim e kanë të pranishëm edhe vet ushtarët e vërtetë të UÇK-së për të cilët e them sërish, ndjej respekt të thellë deri në përulje.

Nuk kam hezituar asnjëherë t’a them mendimin tim të lirë, të pastër dhe të sinqertë në asnjë intervistë që kam dhënë nëpër media. Ka mundësi që në ndonjë prononcim mund të jem keqkuptuar dhe keqinterpretuar. Por gjithashtu ka ndodhur shpesh që ndonjë fjali të hiqet nga i tërë konteksti i mendimit, dhe kështu të keqintpretohet dhe përgojohet intervista. Me qëllim apo pa qëllim, e dijnë ata vet.

Kështu ndodhi edhe në intervistën me Adelinën I. Po, kam thënë se disa nuk do të përfundonin në krye të shtetit po të mos ishte lufta. Dhe kjo është e vërtetë, ashtu si nuk do të ishte Titoja ai që u bë, por do të mbetej një mekanik, (pjesë e hequr nga intervista) siç edhe ishte, po të mos ndodhte lufta e dytë botërore. Disa njerëz i bie koha, e disa puna. Si do që të jetë, më vjen keq për ata që u ndien keq me përmendjen e profesionit të mësuesit apo bodyguardit. Unë e respektoj secilin profesion, dhe studentëve të mi gjithmonë u kam preferuar të më thërrasin MËSUES, e jo profesor. Dhe ky fakt besoj se është dëshmi e mjaftueshme sa e respektoj të qenit mësues. Gjithsesi, ndjesë për të gjithë ata që mund të jenë ndier të goditur nga ky emërtim. Po, emërtimin MËSUES e mbaj me krenari edhe vet.

Dhe e githë kjo, solli një vërshim fyerjesh, etiketimesh, njollosjesh e linçim gjysëmkolektiv në mediat e portalet tona. Nuk ndihem i goditur, sepse e vërteta është në anën time dhe qëndroj prapa saj me gjithë kapacitetin tim njerëzor, edukativ dhe intelektual. Qenka vallë jo njerëzore të mos e them një të vërtetë? Jam i sigurt se ushtarët e vërtetë të UÇK-së, nuk janë të ofenduar, të them më saktë se janë të një mendimi me mua.

Unë shpresoj që ish pjesëmarrësit e luftës do të dalin të pafajshëm nga Haga, por kjo nuk do të thotë që nuk po i kritikoj për udhëheqjen e tmerrshme të Kosovës së pasluftës.

Më detyruat të hy në arkivat e vitit 1996 të një performance time në Nish. Kjo për shkak të një videoje që njëri nga një pseudo-analistët e publikoi për të dëshmuar se çfarë shqiptari jam unë, duke e ndërruar komplet tekstin origjinal, e duke e përkthyer atë rrejshëm. Falsifikim i të së vërtetës. Rrenë e kulluar. Kjo vetëm e vetëm, për të nxitur urrejtje. (Më poshtë gjeni videon). Ngjajshëm me pretendimet e shpifura që bëj ndasi në mes të “qytetarëve” dhe “katundarëve”. E kundërta e edukatës sime. Po unë jam vet muhaxhir katundar.

Rrenë e kulluar se gruaja ime nuk është shqiptare, etj etj. Këto vetëm si ilustrim deri ku shkon niveli i shpifjeve.

Dhe po, kam aktruar nëpër shumë qytete të Serbisë dhe ish Jugosllavisë e më së shumti në Beograd, sepse atje jam shkolluar, dhe e kam nisur karrierën time, dhe do të luaj kudo që më ftojnë. Ky është profesioni im të cilin e punoj me pasion.

Gjykatat funksionojnë, dhe ato do të merren me këtë orkestrim shpifjesh, njollosjesh, përdhosjesh, linçimin dhe goditjen e personalitetit tim dhe shqetësimit që i shkaktuan familjes sime.