Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Jasharaj: Ministri Murati, ndër fajtorët kryesorë pse e kemi këtë gjendje në arsim

 
   

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka hedhur kritika në drejtim të qeverisë.

Sipas Jasharajt, fajtorë për gjendjen e krijuar në arsim është hiç më pak se ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.

“Nga përvoja e gjatë sindikale që e kam, ministri Hekuran Murati e them publikisht se është njëri nga fajtorët kyçë, sepse ai po harron që përveç se është ministër i Financave dhe Trasnfereve, është edhe i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga vet ky fakt, ai duhet të jetë flamurtar, ta nxisë dialogun, të krijojë kushte edhe kur qeveria thotë jo, të insistojë që të ketë dialog me sindikatat. Këtë detyrë e ka ministri. E në vend të kësaj, ai e ka bllokuar edhe punën e Këshillit ekonomik-social, ku ulen me ligj tri palët: Sindikatat, Qeveria dhe përfaqësuesit e bizneseve dhe merren vesh për kërkesat. Ai e ka bllokuar edhe këtë institucion, duke qenë kundër dialogut”, u shpreh Jasharaj, në intervistë për EO.

Madje, kryesindikalisti akuzon ministrin Murati për përpjekje për t’i shuar sindikatat në vend. Thotë se ka gënjyer e ka shpifur ndaj tyre. Fajtor e konsideron edhe për vlerën e koeficientit të pagave.

“Ai (Hekuran Murati) bëri çmos edhe 5-6 muaj para vendimit përfundimtar për koeficientin, ai u deklarua që në qershorin e vitit të kaluar se ngritja e koeficientit do jetë vetëm pesë euro, nga 105 në 110 euro, dhe e konsiderojmë si njërin nga faktorët kyçë edhe për ligjin e pagave, edhe për koeficientin e ulët edhe për deklaratat e tij kundër SBAShK-ut, deklarata shpifëse, gënjeshtra e pa asnjë argument. E konsiderojmë fajtor edhe për tendencën për t’i shuar sindikatat ngase tërë anëtarësinë që e kishim të regjistruar me deklarimin dhe nënshkrimet e tyre në bazë të ligjit për organizimin sindikal, ai e ka shlyer në tërësi për t’i zhdukur dhe shpiku, që është një rast i rrallë në botë, platformën e-Kosova duke i obliguar njerëzit se nëse duan të jenë në sindikatë të regjistrohen në e-Kosova, i cili dihet që është portal i shtetit dhe paramendojeni, njerëzit regjistrohen për të mos u shuar sindikata në një portal të shtetit, në vend që të jetë ajo që e thotë ligji se një anëtar regjistrohet në sindikatën e vet e jo në një portal shtetëror”, deklaroi Jasharaj.

Krahas problemeve me shtetin, Jasharaj e sheh problematike edhe një fakt tjetër. Atë të largimit të mësimdhënësve nga Kosova. Ai thotë se tash e sa kohë, mësimdhënësit kanë filluar t’i marrin pushimet njëvjeçare pa pagesë, duke u larguar në vendet perëndimore për një jetë më të mirë.

Megjithatë, ai thotë se këto shifra nuk janë zyrtare, ngase, sipas tij, mësimdhënësit marrin leje nga DKA-të, e jo nga sindikatat.