Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti: S’pres nga SHBA ta shohin Beogradin me sytë e Albin Kurtit, as ata s’duhet të presin që unë ta shoh Beogradin me sytë e Departamentit të Shtetit

 
   

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk pret që ShBA-të që ta shohin Beogradin me sytë e Albin Kurtit. Ai në një intervistë në emisionin “Public Square” me Ditmir Bushatin, tha se ShBA-të duhet që të kujdesen për demokracinë në gjithë planetin.

Ai përmendi edhe gjenocidin që ka bërë serbët në Kosovë.

“SHBA-të duhet të kujdesen për demokracinë në gjithë planetin dhe unë e kuptoj që ata nuk kanë mjaftueshëm kohë dhe unë gjithashtu i kuptoj që kohë ka gjithnjë e më pak. Jo vetëm për ata, por edhe për të gjithë ne. Prandaj, kur këtu shtohen edhe konsideratat gjeopolitike dhe strategjitë e caktuara, natyrisht që mund të ketë ndonjëherë edhe mospajtime më shumë në aspektin strategjik e taktik sesa parimor e vleror. Sido që të jetë unë një gjë ua kam bërë të qartë të gjithëve, ‘as nuk pres nga SHBA-të që ta shohin Beogradin zyrtar me sytë e Albin Kurtit, por as ata nuk duhet të presin që unë ta shoh Beogradin zyrtar me sytë e Departamentit Amerikan të Shtetit’. Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik, unë njoh dhjetra njerëz të cilët janë vrarë në luftë dhe i kam njohur të gjallë dhe e di historinë mbi mesataren e serbëve dhe të shqiptarëve për raportet e kombit shqiptar në përgjithësi, me Serbinë si shtet, në veçanti. SHBA-të dhe Serbia kanë njohje të ndërsjellë. Serbia ka kryer genocid në Kosovë. SHBA-të janë dëshmitarë, nuk janë viktimë. Ne jemi viktima. Viktima dhe dëshmitari nuk janë e njëjta gjë. Prandaj, unë besoj që Serbinë e njoh më mirë dhe nuk mund ta kem të njëjtë qëndrimin e as ndjeshmërinë, sikurse Departamenti Amerikan i Shtetit. Kjo do të thotë që duhet të bashkëbisedojmë. Marrëdhënia jonë duhet të jetë e aleatëve, partnerëve dhe miqve. Mirëpo kjo nuk do të thotë që të jemi identik. E dyta, unë jam bërë kryeministër pas një plejade të kryeministrave që ishin shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin e bukur të ndryshëm prej meje, dhe kjo ma vështirëson mua punën për raportin e ri që unë dua të ndërtoj me të gjithë partnerët tanë perëndimor. E kjo është një rrugë dykahore e jo vetëm një. Në marrëdhënie edhe merr edhe jep. E jo vetëm të japësh. Kjo është arsyeja pse unë besoj që tej publikohen, super afirmohen dallimet e rastit për çështje të caktuara kohë pas kohe me SHBA-të”, ka thënë.

Tutje, Kurti tha se ambiciet e tij për Kosovën janë më të mëdha sesa të Uashingtonit dhe të Brukselit.

Ambiciet e mia për Republikën e Kosovës dhe për kombin shqiptar janë më të mëdha se të Uashingtonit dhe të Brukselit. Unë besoj se kjo është normale. Paramendoni sikur të ishte ndryshe. Çfarë ardhmërie mund të presim ne për shtetin tonë dhe për kombin tonë mbarë nëse ndërkombëtarët i kanë ambiciet për ne më të mëdha sesa ne për kombin tonë? Ne gjithmonë duhet të kemi ambicie më të larta për veten tonë sesa atë që kanë partnerët, aleatët dhe miqtë tanë, që sigurisht që janë të paçmueshëm dhe të pazëvendësueshëm”, ka thënë tutje ai.