Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në mesin e arbëreshëve të Italisë, ka uruar festën e Pashkëve.
Duke iu uruar “festën e paqes, dashurisë dhe triumfit, ashtu siç triumfuan me shekuj arbëreshët me vendosmerinë e tyre për të ruajtur identitetin, traditën, gjuhën dhe kulturën”, shkruan ajo .
Postimi i plotë:
Nga festa e madhe e Arbëreshëve në Sicili, të gjithë motrave dhe vëllezërve tanë të krishterë iu uroj Pashkët, festën e paqes, dashurisë dhe triumfit, ashtu siç triumfuan me shekuj arbëreshët me vendosmerinë e tyre për të ruajtur identitetin, traditën, gjuhën dhe kulturën.
Emocione të papërshkrueshme gjatë festës së sotme në Hora të Arbëreshëve, një vend me njerëz të mrekullueshëm, të dashur, e të vendosur për të ndërtuar ura bashkëpunimi me Kosovën dhe qytetarët e saj, një pjesë e të cilëve kishin ardhur nga Kosova dhe mërgata dhe sot mbushnin sheshin e Horës për të festuar Pashkët së bashku me Arbëreshët.
Të vetëdishëm për të kaluarën, trashëgimia që i lënë gjeneratave të reja dhe dashuria për identitetin, gjuhën, traditën dhe kulturën i bën ata të jenë model, jo vetëm për diasporën dhe mërgatën tonë, por për qytetarët tanë në Kosovë në përgjithësi se si duhet ruajtur gjithçka që është krijuar shekuj e shekuj më parë e që njëkohësisht përbën ekzistencën tonë kombëtare.
Pashkë të bardha e të gëzuara për të gjithë ju!