Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Përdhunimet e paramilitarëve serbë, Osmani thirrje Beogradit: Sillni kriminelët!

 
   

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Beogradi zyrtar që të mos dalë në mbrojtje të të akuzuarve për krime seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Duke folur në dokumentarin “Jehona e dhimbjes” të gazetarit Andrea Danglli në Euronews Albania, Osmani shprehet se Serbia është bërë mburojë për paramilitarët duke mos lejuar përballjen e tyre me institucionet e drejtësisë në Prishtinë.

“Ata që kanë kryer krimet dhe ata që i kanë mbështetur ato krime, pra shteti serb, nuk kanë treguar asnjëherë gatishmëri për tu ballafaquar me të kaluarën dhe rrjedhimisht  t’i vendosin para drejtësisë personat që i kanë kryer këto krime”, u shpreh Osmani.

Ajo nënvizon se tashmë Kosova ka ngritur një sistem model për trajtimin dhe adresimin e problemeve të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Si shoqëri besoj se jemi emancipuar jashtëzakonisht shumë që nga ato momentet e pasluftës dhe deri sot. Sot shoqëria kosovare, shteti i Kosovës, i përkrah në masë të madhe të gjithë të mbijetuarit e këtij krimi të tmerrshëm. Kosova është një ndër shtetet e pakta në botë që ka vendosur një sistem të suksesshëm të mbështetjes të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës duke krijuar komisionin qeveritar i cili mbështet edhe financiarisht këto të mbijetuara”, tha Osmani.

Dokumentari “Jehonat e dhimbjes”, erdhi nga gazetari Andrea Danglli, me 4 nga 20 mijë historitë e përdhunimeve gjatë luftës së Kosovës.  Përmes rrëfimeve të tyre, katër të mbijetuarit e dhunës seksuale përsëritën apelin për drejtësi.

Video e dokumentarit të plotë: