Trupi i Amanda Richmond Rogers, 45 vjeç, është gjetur në lumin North Fork Eagle, në Alaskë. Ajo u përpoq dhjetorin e kaluar që të shpëtonte qenin e saj, i cili ra aksidentalisht në lumin e akullt në zonën Anchorage, Alaskë.
Amanda dhe bashkëshorti i saj, Dr. Brian Rogers, shkuan pranë lumit për të festuar përvjetorin e 18-të të martesës së tyre, me 23 dhjetor 2023. Gjatë shëtitjes, një prej qenushëve të tyre, Groot, ra në lumin e akullt dhe Amanda nuk mendoi dy herë, por u zhyt për të gjetur dhe shpëtuar Groot.
Trupi i saj u gjet më 24 mars, e përqafuar me qenushin. Motra e saj, Jennifer Richmond, tregoi se Amanda e kishte Groot në krahët e saj si dikur dhe shtoi se Amanda “ndërroi jetë si një heroinë e vërtetë”.
“Trupi u gjet nga një kalimtar i rastësishëm”, u shpreh zëdhënësi i departamentit të policisë në Anchorage, Reene Oistad. Ekspertët ekzaminuan trupin dhe u konfirmua identiteti i së ndjerës.
“Amanda i donte shumë qentë, thuajse aq sa fëmijët tanë. Ata ishin familja jonë”, u shpreh bashkëshorti i saj, Dr. Brian.
Ai tha se Amanda nuk u hodh në lumin e akullt “për të shpëtuar thjesht një qen, por për të shpëtuar një anëtar të familjes”.
Amanda Richmond Rogers me familjen e saj
Amanda ishte nënë e katër fëmijëve, Leif Thurmond, Liam, August dhe Bodhi Rogers.
TikTok-u u përlot nga historia e saj, duke treguar edhe njëherë se katërputroshët nuk janë thjesht kafshë që mbahen në shtëpi, por janë pjesëtarë të familjes. “Ata e gjetën. Ajo po përqafonte mikun e saj me gëzof”; “Nuk po qaj vetëm unë, e di”; “U prehtë në paqe! Ajo është një heroinë”; “Kafshët janë të pazëvendësueshëm për disa prej nesh” ishin disa nga komentet në TikTok.