Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Steinhauer: Rusia synon të minojë marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në

Në dekadën e fundit, vendet e Ballkanit Perëndimor janë vënë në shënjestër të fushatave dezinformuese të Rusisë. Historiani amerikan Jason Steinhauer, i cili së fundmi mori pjesë në një konferencë mbi këtë temë në Kosovë, thotë se bëhet fjalë për një plan rus që ka për qëllim të minojë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Evropian dhe ta largojë rajonin nga rreshtimi me aleancën transatlantike.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Steinheur thotë se deri më tani ky plan ka shënuar sukses të moderuar për shkak të financimit, pakënaqësive të brendshme dhe arsyeve historike.

Së fundmi ishit në Kosovë, ku morët pjesë në konferencën e parë ballkanike mbi dezinformimin. Cilat ishin përshtypjet tuaja se si po përballen shoqëritë dhe vendet e Ballkanit me këtë sfidë dhe si po e luftojnë atë?

Steinhauer: Përshtypjet e përgjithshme për Kosovën janë shumë pozitive. Kosova ka një popullatë të qëndrueshme, që më frymëzoi. Megjithatë, vendi përballet me sfida të shumta, duke filluar me ndotjen, ndryshimet klimatike. Ka sfida të shumta me dezinformimin, me gjendjet e mediave dhe njohuritë rreth mediave dhe këtë problem e kanë të gjitha vendet e Ballkanit.

Ju jeni autor i librit “Historia, e ndërprerë”, ku keni shkruar për mënyrat se si historia është ndikuar nga rrjetet sociale…

Steinhauer: Po, argumenti im është që siç e kemi ndjerë ndikimin e rrjeteve sociale në politikë, shëndetin publik dhe gazetari, platformat sociale kanë ndryshuar mënyrën se si flasim dhe si e tregojmë historinë tonë.

Në takimin e Prishtinës, unë argumentova se sa më shumë që përdorim rrjetet sociale për të komunikuar për të kaluarën, aq më shumë vlerat e rrjeteve sociale bëhen vlera tona. Me fjalë të tjera, ne ndryshuam mënyrën se si e rrëfejmë historinë dhe se si rrëfimet tona mbi historinë iu përshtatën frymës së rrjeteve sociale, duke privilegjuar disa lloj historish, ndërkohë që disa të tjera as nuk shihen e as nuk tregohen, sepse të gjithë po synojmë të jemi sa më shumë të pranishëm në rrjetet sociale. Kur prania zëvendëson saktësinë, si shtytësi kryesor, që prej kohësh ka qenë elementi kryesor në analizat dhe studimet e historisë, atëherë do të ketë pasoja të mëdha mbi historinë që mësojmë dhe historitë me të cilat ballafaqohemi. Aktualisht, në sferën tonë publike kemi rrëfime që janë të dukshme, sepse ne të gjithë po përdorim rrjetet sociale për të arritur këtë qëllim. Por, a do të thotë kjo që historia që po shohim është e saktë? Dhe në momentin që përpiqemi të analizojmë saktësinë e informacionit mbi një ngjarje të caktuar që e shohim në internet, kjo pasqyrë bëhet më e ndërlikuar dhe problematike.

Në një shkrim mbi përshtypjet tuaja për Kosovën flisni për rolin e Rusisë. Si po ndikon propaganda e Rusisë në shtrembërimin e historisë?

Steinhauer: Historia mund të shndërrohet në një armë të fuqishme. E kemi parë një shtrembërim të tillë të historisë në veçanti kur bëhet fjalë për Rusinë dhe Ukrainën. Zakonisht, kur mendojmë për historinë, ne bëjmë pyetje dhe provojmë të gjejmë dëshmi për t’iu përgjigjur pyetjeve. Dhe kështu arrijmë në përfundimin nëse diçka mund të ketë ndodhur, apo të mos ketë ndodhur në të kaluarën.

Në rastin e Rusisë dhe Ukrainës, për shembull, kemi parë aktorë si Rusia, si Putini, që janë përpjekur ta përmbysin këtë proces historik. Me fjalë të tjera, japin fillimisht përfundimin që u intereson dhe pastaj shpikin dëshmitë për të mbështetur pretendimet e tyre. Ngaqë shohim aq shumë informacione historike në rrjetet tona sociale çdo ditë, shpesh e kemi të vështirë, si konsumatorë, të kuptojmë se si u arrit deri tek ky përfundim historik. A janë hartuar ato në bazë të një metodologjie të saktë dhe të ndershme, apo përmes një synimi keqdashës për të arritur tek një përfundim tashmë i paracaktuar?

Në vendet si Ballkani shohim mungesë të të lexuarit kritik të mediave dhe sfidë me të lexuarin kritik të historisë. Është pjesë e punës time të përpiqem të ndërtojë këtë aftësi tek shoqëria.

Në këtë rast, cilat janë dezinformatat që po dominojnë dhe si duhet që vendet si Kosova t’i luftojnë ato?

Steinhauer: Mendoj se të lexuarit kritik i mediave dhe i historisë janë të një rëndësie jetike. Duhet t’i mësojmë njerëzit se si duhet t’i vlerësojnë argumentet dhe të vlerësojnë metodologjinë prapa tyre, ashtu siç i mësojmë njerëzit të vlerësojnë gazetarinë e mirëfilltë. Duhet t’i mësojmë njerëzit se si ta kuptojnë nëse bëhet fjalë për histori të hulumtuar mirë apo jo.

Sa i përket dezinformatave që kam ndeshur gjatë qëndrimit në Kosovë, ekzistojnë disa tema të mëdha si dhe shembuj individualë që i përforcojnë këto tema. Në Kosovë, tema kryesore është të mos i besohet Shteteve të Bashkuara, të mos i besohet Evropës, që integrimi në Bashkimin Evropian nuk është përgjigja e duhur. Që demokracia nuk është zgjidhja, që demokracia nuk po funksionon për ju.

Ato synojnë të minojnë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Evropës dhe natyrisht Shteteve të Bashkuara, apo në rastin e Maqedonisë së Veriut e Bullgarisë marrëdhëniet e tyre me Evropën dhe SHBA-në dhe që t’i shtyjnë këto vende të shohin më me simpati pikëpamjet e Moskës dhe në fund të fundit të mbështesin veprimet e saj, siç është rasti në Ukrainë. Pra, bëhet fjalë për një plan që përpiqet ta riorientojë këtë pjesë të botës drejt Kremlinit dhe ta largojë nga rreshtimi me aleancën transatlantike, me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.

A kanë qenë të suksesshme këto përpjekje?

Steinhauer: Prej asaj që kam parë, ndikimi ka qenë mesatar. Ka ekspertë që i kanë studiuar këto çështje më në detaje, por kur je atje e ndjen këtë zhgënjim, pasi e sheh konkretisht se si funksionon.

Në shumë prej këtyre vendeve, papunësia është e lartë, inflacioni është i madh, ka ndotje, korrupsion dhe të gjitha këto ushqejnë pakënaqësi. Dhe shpesh në një shoqëri ku ka pakënaqësi, është e lehtë të kërkosh fajtorë dhe në këtë rast fajtorët janë Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe aleanca transatlantike. Është e lehtë t’i fajësosh ata për sfida shumë komplekse. Si rezultat, këto teori fitojnë peshë. Kur je i pakënaqur, i papunë, kur e ke të pamundur të realizosh qëllimet në jetë, këto teori mund të bëhet shumë helmuese. Mënyra se si përdoren i bëjnë të kenë ndikim. Dhe natyrisht fushatat dezinformuese dinë se si të krijojnë ndasi dhe të mbjellin përçarje në shoqëri. Ato po ashtu shfrytëzojnë çështjet madhore strukturore që nuk janë zgjidhur ende.

Cilat janë pengesat kryesore në luftën kundër dezinformimit dhe shtrembërimit?

Steinhauer: Kryesorja është financimi. Kur vizitova Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Gjeorgjinë, takova organizata të jashtëzakonshme që po përpiqen të bëjnë punë të rëndësishme në këtë drejtim. Por, ato kanë probleme kronike me mungesë fondesh. E ardhmja e këtyre organizatave është e paqartë ngaqë donatorët vazhdimisht ndryshojnë përparësitë e tyre. Andaj, për ta përkrahur shoqërinë civile në këto vende, duhen më shumë investime. Për shembull, Rusia shpenzon rreth 1 deri në 4 miliardë dollarë çdo vit për luftën informative, ndërkohë që në Maqedoninë e Veriut, Bullgari dhe Kosovë kemi organizata që punojnë me buxhete vjetore 20 apo 25 mijë dollarëshe. Nuk është një luftë e barabartë. Prandaj duhen më shumë investime në këtë fushë, më shumë përkrahje. Duhet ta ristrukturojmë sistemin tonë arsimor dhe të sigurohemi që studentët tanë ta mësojnë të lexuarin kritik të mediave, të bëjnë pyetje kritike për ato që shohin në celular… Dhe duhet më shumë angazhim ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Të gjitha përpjekjet duhet të mbështeten jo vetëm financiarisht, por edhe politikisht. Duhet të jetë përparësi dhe duhet të investojmë nëse duam rezultate.

Cilat janë arsyet e këtij suksesi mesatar, siç u shprehët ju, që ka patur Rusia?

Steinhauer: Fushatat ruse ishin të suksesshme, fillimisht, sepse kanë patur shumë burime financiare. Ka agjentë informacioni që punojnë çdo ditë, për 24 orë, shtatë ditë në javë për të dezinformuar dhe pa dyshim që, për shkak të një numri kaq të madh, disa nga këto fushata do të kishin sukses. Rusia shpenzon rreth 1 deri në 4 miliardë dollarë çdo vit në këtë drejtim. Ata tashmë e dinë se si funksionojnë platformat sociale dhe i kuptojnë pikat e dobëta të secilës shoqëri, dinë se ku duhen prekur ato dhe si t’i përdorin fushatat e dezinformimit për të shkaktuar përçarje dhe krijuar ndasi.

Së dyti, ekzistojnë çështje strukturore në shumë nga këto rajone, përfshirë në Shtete të Bashkuara, ku ende nuk kemi gjetur zgjidhje të mirëfillta. Dhe si rezultat, shumë fushata dezinformuese bëjnë përgjegjëse grupet e caktuara, një besim fetar të caktuar, një grup etnik të caktuar, apo thjesht janë teori konspiracioni gjoja të orkestruara nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian apo Izraeli. Këto lloj fushatash janë shumë të suksesshme sepse u japin zgjidhje të thjeshta problemeve të ndërlikuara.

Dhe së treti, ekzistojnë edhe arsye historike. Vendet si Letonia dhe Estonia kanë popullatë të konsiderueshme që flet rusisht; Serbia dhe Rusia kanë aleancë të bazuar në kulturën e përbashkët sllave. Këto lidhje historike dhe kulturore gjithashtu u japin besueshmëri disa mesazheve dhe bartësve të tyre. Për shembull, kur po vizitoja Ballkanin së fundmi, dëgjova që kishat ortodokse janë burim i shumë dezinformatave. Ekziston një lidhje e fuqishme ndërmjet Kishës Ortodokse Serbe dhe Kishës Ortodokse Ruse. Shumë njerëz mbështeten te këto kisha për të ruajtur lidhjet me komunitetin dhe ato shërbejnë si vende të shenjta për miliona njerëz. Ky besim që gëzojnë mes këtyre komuniteteve bën, që kur thuhet diçka, që mund të mos jetë e vërtetë, të jetë e falsifikuar, apo dezinformatë, të marrë një peshë të veçantë. Pra, janë arsyet historike dhe strukturore. Është problem i ndërlikuar që kërkon investime për t’u zgjidhur. /VoA