Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në Hagë, sot pritet të vazhdojë dëshminë ish-diplomatit amerikan, Shaun Byrnes, i cili dëshminë e tij e ka filluar më 25 mars dhe ishte parashikuar ta përfundonte të enjten, më 28 të këtij muaj, mirëpo, në fund të seancës së kësaj date u bë e ditur që ky dëshmitar do të vazhdojë me dëshminë e tij edhe sot, më 2 prill.
Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, për këtë javë pritet të mbahen tri seanca, sot ajo pritet të fillojë në ora 09:00.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill të vitit të kaluar, kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.