Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lifestyle

Teknikat e prindërimit, psikologia jep këshillat: Më shumë kohë me fëmijët, mos i lini gjithë ditën telefonin

Mëngjesin e sotëm në emisionin “7pa5” me moderatorët Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova është folur për teknikat e prindërimit.

Psikologia Anisa Zaçe dha disa këshilla për prindërit e rinj, teksa theksoi se ata duhet të kalojnë më shumë kohë me fëmijët.

“Unë mendoj që prindërimi nuk ka ndonjë magji të madhe veç asaj që ka çdo marrëdhënie njerëzore. Kur fëmijët janë të vegjël prindërit duhet t’i besojnë instiktit të tyre, nënat kanë shumë instikt. Kur fëmijët rriten mjafton t’i dëgjojmë. Po t’i lësh një fëmije telefonin gjithë ditën mërzitet,sepse do zgjedhin gjithmonë prekjen njerëzore para telefonit”, tha ajo.

Më tej psikologia shpjegoi edhe problemet që shfaqen në marrëdhëniet mes prindërve dhe fëmijës gjatë adoleshencës.

“Zakonisht në adoleshencë ka një ngërç në komunikim, sepse aty fillon të kuptosh që je një individ me vete dhe jeta jote nuk do varet nga mami dhe babi gjithmonë. Në atë moment kupton që ke dëshirat e tua, pëlqimet e tua dhe nuk e gjen vendin tënd në botë sepse është mosha. Gjatë adoleshencës çdo prind bëhet problematik. Në atë moment duhen trajtuar për t’i kuptuar sa më shumë të mundet. Nëse i themi je akoma i vogël ka gjasa të armiqësohemi me ta. Si fillim është e nevojshme që prindërit të jenë aty këtë moment sepse prindërit mundohen t’i plotësojnë nevojat materiale. Një adoleshent ka nevojë për kohë me prindin e vet. Fëmijët kanë një periudhë të caktuar në rritjen e tyre dhe nuk mund ta kthesh kohën mbrapa. Ndryshimi i sjelljes ndodh pas 18-19 vjeç, ku përballemi me të qenit të rritur. Adoleshenti fillon ta kuptojë pak më shumë prindin”, u shpreh Zace, teksa më tej u ndal edhe te rëndësia që ka viti i parë i prindërimit.

“Për fat të keq në ditët që flasim edhe rritja me gjyshërit është rralluar shumë, sepse rriten me  dado, as në kopsht nuk po shkojnë. Një vit i duhet të shkëputet fëmijës nga ideja që ai dhe mami janë njësoj. Viti i parë është shumë i rëndësishëm për të dy prindërit për të krijuar një marrëdhënie të afërt me fëmijën”, tha Zaçe. /vizionplus.tv