Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ish-diplomati: Dinari do të duhej të mbetej si çështje e brendshme e Kosovës

 
   

Blerim Canaj, ish-diplomat dhe njohës i rrethanave politike në vend, i ftuar në RTK duke e komentuar takimin e radhës në mes të dy kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në përpjekje për të gjetur zgjidhje për çështjen e dinarit, tha se nuk pret risi, për faktin se edhe propozimet për daljen nga kjo situatë janë tejet të polarizuara. Ndonëse sipas tij, çështja e dinarit do të duhej të mbetej si çështje e brendshme e Kosovës.

“Nuk kam fare pritje nga ky takim, sepse edhe zëvendëskryeministri Bislimi e përmendi që edhe propozimet për zgjidhjen e çështjes së dinarit janë të polarizuara. Ne nuk e dimë  se çka nënkupton ai me polarizim porse nga ajo që është polare deri më tani duket që “drita në fund të tunelit” është e pa dukshme”, tha Canaj.

Ai po ashtu tha se tashmë po dihet se jemi në një vit zgjedhor dhe se tema e dinarit është futur si temë koti në politikën ditore.

“Aktualisht jemi në një vit zgjedhore dhe se tema e dinarit është futur si temë koti, totalisht e panevojshme nga ana e Qeverisë tonë. Qeverisë tashmë i konvenon për të marrë kohë dhe një mos zgjidhje i konvenon edhe qeverisë tonë”, tha Canaj duke shtuar se automatikisht po zhvendoset vëmendja nga temat më të rëndësishme për vendin.

Ai tha se duke folur për dinarin çështja e Asociacionit po mbetët në hije. “Duke folur për dinarin çështja e Asociacionit po mbetët nën hije. Tashmë edhe në Bruksel po flitet për çështjen e dinarit dhe se nuk e besoj që do të ketë ndonjë marrëveshje”, tha Canaj duke shtuar se dinari do të duhej të mbetej si çështje e brendshme e Kosovës.