Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze qoftë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, apo edhe jashtë saj.
Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Shkak për këtë në shumë raste janë pakënaqësitë për shqiptimin e gjobave në komunikacion dhe kontrollet policor.
Kështu ka ndodhur edhe të martën në Deçan, ku Policia është përballur si në filma me një 26-vjeçar, i cili po lëvizte me veturën e tij në rrugën “Luan Haradinaj” edhe pse e kishte të ndaluar.
I njohur si recidivist i armëmbajtjes pa leje, i riu i bëri ‘kahre’ zyrtarët policorë, që e ndoqën për ta kapur, derisa në një moment u zbulua se po mbante edhe armë.
I dyshuari që ra në prangat e Policisë pavarësisht tentativës për të ikur është Faton Seferaj, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Pejë.
“Njësia policore ka ndaluar të dyshuarin m/k për një kundërvajtje në trafik. Gjatë verifikimin i njëjti ka rezultuar se ka masën e ndalimit të patentë shoferit. Gjatë tentimit për ta kontrolluar të dyshuarin i njëjti ka filluar të vrapojë duke ikur nga vendi i ngjarjes.
Zyrtarët policor e kanë ndjekur të dyshuarin dhe gjatë ndjekjes kanë vërejtur se i dyshuari posedonte një armë në dorë të cilën e ka hedhur në lum.
Zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin dhe nga lumi kanë marrë një pistoletë me 5 fishekë dhe një thikë.
I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.“