Gati 10 mijë konsumatorë janë duke u përballur me mungesë të energjisë elektrike, pas zjarrit në Nënstacionin Prishtina 3 të KOSTT, sot gjatë ditës.
Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, tha se ekipet janë ende duke punuar për të kthyer rrymën aty ku nuk ka, porse nuk dihet kur rikthehet.
“I është kthyer qasja rreth 11 mijë konsumatorëve, ndërsa rreth 10 mijë konsumatorë të tjerë janë ende pa energji. Ekipet po punojnë që ata të kenë qasje në energji elektrike sa më shpejt, por ende nuk e dimë se kur do të jetë e mundshme”, ka thënë ai.
KEDS-i sot njoftoi se në Nënstacionin Prishtina 3 të KOSTT, që furnizon kryesisht qendrën e qytetit të Prishtinës, edhe pse në gatishmëri, e kishin të pamundur deri sot vonë për të intervenuar, meqenëse aty ishin institucionet relevante shtetërore duke bërë vlerësimin e gjendjes dhe verifikimet e nevojshme.