Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Elshani: Vizita e Kurtit në veri s’ngjalli reagime negative të qytetarëve, falë punës së mirë të Policisë

 
   

Vizita e kryeministrit, Albin Kurti në komunat veriore edhe pse me agjendë të ngjeshur ka shkuar me rregull dhe nuk ka ngjallur reagime negative të qytetarëve atje. Kështu ka deklaruar zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani.

Elshani ka thënë se Forcat e shtuara të Policisë për vizitën e Kurtit atje, nuk është se mund të shihen si diçka e jashtëzakonshme, meqenëse situata në veri është delikate.

Ai ka vlerësuar se vizita e të parit të vendit, nuk është përcjellur me reagime të qytetarëve, pasi që policia në vazhdimësi po bën një punë të mirë në komunikim me ta.

“Edhe pse ka qenë një agjendë mjaftë e ngjeshur në aspektin e sigurisë çdo gjë kë shkuar në rregull. Përgatitjet kanë qenë ashtu siç duhet. Njësitet i kanë kryer detyrat e tyre ashtu siç ka qenë e paraparë, sipas planeve. Nuk ka pasur asnjë reagim nga qytetarët. Forcat e shtuara të Policisë janë të nevojshme dhe janë aq sa duhet në atë zonë. Nuk ka pasur diçka të jashtëzakonshme të planifikimit tonë për një kryeministër të shtetit tonë që shkon në veri dhe duke e ditë situatën delikate e cila ka qenë atje. Në përgjithësi konsideroj që në bazë të punës sonë të mirë që kemi bërë atje nga nëntori i viti 2022 e deri më tani, komunikimi ynë me qytetarë, paraqitja në raste, përgjigja në raste ka bërë që qytetarët të jenë të qetë dhe nuk ka pasur reagime negative” u shpreh ai.

Ndërkohë, i pyetur për situatën e sigurisë në veri të vendit dhe deklarimin e ministrit Sveçla se grupe terroriste po përgatiten për sulm, ai ka thënë se të gjitha informatat i marrin me seriozitet, por që janë vigjilent dhe të përgatitur për çdo situatë.

“Situata e sigurisë paraqitet e qetë duke marrë parasysh që njerëzit që kanë qenë të përfshirë në rastin e Banjskës ende janë të lirë. Por ne jemi vigjilent”, tha Elshani.