Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kritikuar për mostakimin e dy kryetarëve nga radhët e PDK-së të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe atë Zveçanit, Ilir Peci gjatë vizitë në katër komunat veriore.
Kurti gjatë vizitës në veri, ka takuar kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe atë Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Ish-diplomati Blerim Canaj, duke e vlerësuar si vizitë normale, tha se është edhe pak më “bisht”, pasi Kosova është në një vit zgjedhor.
Ndërsa, për mostakimin e kryetarëve të Zubin Potokut dhe Zveçanit, ai tha se nuk është aspak i befasuar, pasi Kurti nuk ka qenë bashkëpunues me opozitën.
“Do të ishte shumë e çuditshme sikur t’i takonte, sepse z.Kurti më armiqësore i ka parë partitë opozitare se kush e di kush të ishte. Nuk më çudit fare, sepse Kurti asnjëherë nuk treguar bashkëpunues me ndonjë person të partive opozitare, sidomos të PDK-së”, ka thënë Canaj.
Vizitë normale, por të vonuar e ka vlerësuar edhe ish-zëvendësministri i Brendshëm, Selam Shkodra.
Por, ai ka thënë se dhe dy kreutarët nga radhët e PDK-së kanë dhënë kontribut në shtrirjen e sovranitetit dhe Kurti është dashur t’i nderojë dhe takojë.
“E arsyeshme për të qenë vizitë e një burrë shtetasi është dashur t’i takojë. Kryeministri i vendit është dashur t’i nderojë dhe takojë edhe ata”, ka thënë ai.
Kurti gjatë ditës ka zhvilluar një vizitë të paparalajmëruar në katër komunat në veri. Ai ka bërë të ditur se ishte dhe Banjskë, në vendin ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, në sulmin terrorist më 24 shtator të vitit të kaluar.