Të ftuar në një emision televiziv, blegtorët ngritën shqetësimin që numri i bagëtive ka rënë nga 20 mijë dikur, ne vetëm 4 mijë, duke shtuar se tarifa e qeverisë nuk mbulon kostot e mëdha.
Po ashtu ata u ankuan mbi faktin që çmimi i qumështit vendoset nga baxhoxhiu, dhe nuk ka sindikata për të mbrojtur të drejtat e tyre.
“Rruga për në Memaliaj ka qenë e pakalueshme. Bashkia e Tepelenës ka investuar por me çakull, me kanalizime, me aq sa ka pasur mundësi. Por pjesën më të madhe e ka bashkia Memaliaj, që s’ka interes sepse banorët i ka andej, vetëm fushën kanë këtu. Tërmeti na i ka premtuar që rrugën do të na i bëjë. Me ardhjen e Tërmet Peçit të tëra zonat i ka asfaltuar, ka ngelur vetëm rruga jonë dhe Mezhgorani”, tha një blegtor.
“Fshati Dukaj ka qenë ndër të parët në Tepelenë nga blegtoria që ka pasur. Sot është në gjysmën e çka qenë. Sot mund të jetë 3-4 mijë krerë, ndërkohë që ka qenë 10-20 mijë krerë, të imta, dhenë, dhi. Kanë shpenzim shumë të madh. Me këtë tarifë që ka nxjerrë shteti s’e mbulon dot, me 12 mijë lekë të vjetra për dele. Çmimi i qumështit është përtokë, dhe me të lutur. Është 1200-1300. Pazarin e qumështit e bën baxhoxhiu, të shelegut e bën kasapi, ne thjesht jemi çobanët e atyre. Nuk kemi një sindikatë që të na mbështesë. Po qe qumështi me 2000 lekë ne jemi me humbje”, vijoi ai.
Një lajm i mirë është që të paktën në Tepelenë kullotat kanë kontrata 10-vjeçare. Blegtorët vënë në dukje se shteti i Kosovës jep 30 euro për dele ndërkohë që Shqipëria jep vetëm 12 euro për dele.
“Subvencioni duhet të jetë të paktën 20 mijë lekë të vjetra për dele. Sepse unë për një dele shpenzoj diku te 65 mijë lekë në vit”, thotë një blegtor. Ndërkohë një i ri thekson që subvencioni duhet të jetë të paktën 30 euro që të kthehet rinia sërish në vend.
Ata kërkuan që së paku shteti të mbulojë gjysmën e kostove të shpenzimeve në dimër.
“12 milionë lekë më shkojnë kullotat dhe 6 milionë lekë misër. Me 12 euro të shtetit as 15 për qind nuk shkon, se 3 milionë e 600 mijë janë. Nëse vazhdon në këtë mënyrë blegtoria do jetë drejt zhdukjes. Ose s’do ketë më mall bio, do t’i fus në stallë t’i mbaj si Gjermani, Spanjolli, nëse s’kam interes as ashtu do t’i shes fare, do shoh një drejtim tjetër. Në mal kanë ngelur 3-4 stane”, u shpreh blegtori.