Analisti politik, Azem Vllasi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e sheh të mundshëm pas pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Këtë, Vllasi thotë se e sheh si obligim e jo si kusht.
‘’Formimi i këtij asociacioni ka mbetë si obligim pas pranimit të Kosovës në KiE e jo si kusht. Nuk është problem që ky Asociacion të formohet si formë e bashkëpunimit të serbëve dhe komunave me shumicë serbe, për disa çështje me interes specifik të tyre si shembull në arsim, kulturë, gjuhë, traditë’’, thekson ai.
Analisti Vllasi shprehet se themelimin e Asociacionit e sheh përbrenda sistemit kushtetues të Kosovës e jo si një nivel të posaçëm i pushtetit serb nga Serbia.
‘’Gjithsesi, përbrenda sistemit Kushtetues e juridik të Kosovës, jo si nivel i posaçëm i pushtetit për serb dhe jo si e synon Serbia. Madje, kjo fare nuk është punë e negocimit me Serbinë si shtet tjetër. Është punë e brendshme e Kosovës dhe nevojë e qytetarëve të saj serb’’, potencon ai.
Vllasi thotë se çështja e Asociacionit nuk duhet të mbetët shkas i presionit ndaj Kosovës.
‘’Nuk di. Për këtë pyetni Kurtin. Partnerët perëndimor dëshirojnë një deklarim të qartë të pushtetit kosovar se ky asociacion do të bëhet. Askush nga partnerët e jashtëm nuk kërkon që kjo të bëhet në kundërshtim me Kushtetutën. Nuk duhet që kjo çështje të mbetet si shkas presionit ndaj neve’’, deklaron Vllasi.