Ish-shefja e kabinetit të Arben Ahmetajt Alda Klosi, ka përfunduar dënimin dhe lirohet nga qelia. Alda Klosi u dënua nga gjykata 2 vjet e 6 muaj që me gjykim të shkurtuar i takonte 20 muaj.
Ndërkohë pas lirimit do të qëndroje në arrest shtëpie, për akuzën e dytë të pastrimit të parave derisa prokuroria të vendosë pas afatit që i la gjykata.
Klosi u dërgua për gjykim në tetor të vitit të kaluar për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe më pas u dënua.
Ndërkohë, ajo po hetohet veçmas në drejtim të ligjshmërisë së burimeve të krijimit të pasurive ,që ajo dhe familjarët e saj zotërojnë.
Arrestimi i ish-zyrtares së lartë erdhi pas hetimit të kallëzimit të saj të kryer në polici për vjedhjen e qindra mijëra eurove në banesë.
Pas njoftimit të vjedhjes së banesës së Klosit në rrugën e Kosovarëve në Tiranë në dhjetorin e kaluar, policia arrestoi Rozeta Dobin dhe Havier Dobin, nënë e bir, nën akuzën e vjedhjes pasi në shtëpinë e tyre u gjet një shumë e konsiderueshme parash ndërsa Havierit iu sekuestruan disa makina.
Klosi deklaroi në polici më vonë se në banesë, kishte pasur 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë krahas bizhuterive, në çastin e vjedhjes.
Policia mbajti nën përgjim në komisariat Rozeta Dobin, e cila punonte si pastruese dhe Havierin, ndërsa këta diskutuan për një shumë tjetër parash të fshehur në tubin e ventilatorit të kuzhinës.
Policia nuk kishte gjetur këtë shumë në kontrollin e parë por kur rivizitoi banesën, gjeti 404 mijë euro dhe 8500 dollarë. Në total policia gjeti 462,950 euro; 15,500 dollarë amerikanë dhe 368 mijë lekë në shtëpinë e Klosit.