Ish-diplomati Nebojsha Vujoviq tha sot se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po përpiqet të heqë përgjegjësinë e tij për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës para elektoratit të tij.
Vujoviq i tha agjencisë Beta se Vuçiq po “bërtiste dhe qortonte” duke u përpjekur t’ia hidhte fajin politikanes greke Dora Bakoyannis, “që është një truk transparent, sepse ajo si raportuese për Kosovën në Këshillin e Evropës, ka ndjekur vetëm lëvizjet e Vuçiqit”.
“Aleksandar Vuçiq njoftoi në seancën e zgjeruar të qeverisë teknike të Serbisë se do të formohet një grup i posaçëm punues që do të punojë kundër pranimit të Kosovës në KE. Ai me këtë po i drejtohet elektoratit të tij dhe po përpiqet të heqë përgjegjësinë nga vetja sepse pranoi marrëveshjet e Brukselit nga viti 2013 dhe 2023, si dhe udhërrëfyesin nga Marrëveshja e Ohrit, në nenin 4 të së cilës pa mëdyshje thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, tha Vujoviq.
Nëse Vuçiq do që t’i hedhë gurin përgjegjësit për pavarësinë e Kosovës”, shtoi ai, “të hedhë mbi vete, jo tek Dora Bakoyanni”.
“Ajo e ndjek politikën e Vuçiqit në praktikë. Greqia nuk i dha Kosovës atributet juridike të një shteti të pavarur, por Vuçiq ia dha. Nuk është e lehtë të jetosh me këtë. Lëvizja nga kurora e Andriqit është e vetmja mënyrë për të parandaluar poshtërimin e mëtejshëm të Serbisë. ”, tha ish-diplomati.
Ai beson se Vuçiq është i gatshëm të dorëzojë gjithçka vetëm për të qëndruar në pushtet dhe që Perëndimi t’ia shohë përsëri përmes gishtave për vjedhjen e zgjedhjeve.
“Vuçiq vendosi minierat e litiumit, ushtarët serbë në operacionet e NATO-s në pika nevralgjike dhe disiplinon (Milorad) Dodikun në tavolinë për Perëndimin. Askush nuk e kërkon më Kosovën, sepse edhe ai si tregtar i zoti nuk mund ta shesë të njëjtën gjë dy herë”, theksoi ai.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka urdhëruar Qeverinë e Serbisë që të formojë një ekip që do të udhëheqë fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, pasi një vendim vendimtar për këtë pritet në maj.
“Pavarësisht përkrahësve të fortë të pavarësisë së Prishtinës, unë ende mendoj se kemi një shans të vogël dhe për këtë arsye ju kërkoj të luftoni më fort se kurrë. Nuk dua të jem i pakëndshëm para kameramanit, thjesht po ju kërkoj përkushtojuni”, tha Vuçiq në një seancë speciale të Qeverisë së Serbisë.
Ai shtoi se kjo është e një rëndësie vendimtare për Serbinë.
“Është e mundur që disa vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të mos jenë pozitive për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Vuçiq.