Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Lajçaku njoftohet me sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Kosovës Lindore

 
   

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu sot në Bruksel takuan emisarin e BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështje tjera në Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, të cilin e kanë njoftuar me sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Kosovës Lindore.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, ka shkruar në ‘Facebook”, se e kanë njoftuar Lajçakun për hezitimin dhe mosgatishmërinë e shtetit për të integruar shqiptarët nëpër institucione shtetërore e për gatishmërinë që sistemi shtetëror e ka treguar për pasivizimin e shqiptarëve.

“Mosintegrimi  i shqiptarëve në institucione i bënë institucionet jokredibile e diskriminuese, ndërsa aplikimi  i pasivizimit tendencioz në vendet ku jetojnë shqiptarët mundëson ndryshimin e strukturës etnike në ato vendbanime. Medvegja është shembulli më i mirë. Njoftuam z. Lajçak për rëndësinë dhe impaktin që për të diplomuarit nga Lugina do të kishte njohja e diplomave të Kosovës dhe se njohja e tyre do të nënkuptonte mundësi për një perspektivë të re për Luginën”, tha ai.

Sipas tij, mungesa e vullnetit politik për ta zhvilluar Luginën e Preshevës ekonomikisht, pasqyrohet më së miri me bojkotin total të shtetit në sjelljen e investitorëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

“Prandaj edhe komunat e banuara me shqiptarë janë ndër komunat më të pazhvilluara në vend. Infrastruktura e shkatërruar shkollore në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, përskaj moslejimit të teksteve shkollore dhe mungesës së tyre në gjuhën shqipe, vështirëson edhe më shumë procesin edukativo – arsimor tek nxënësit shqiptarë. E ardhmja evropiane duhet të jetë e vetmja rrugë për Ballkanin Perëndimor ndërsa të drejtat e njeriut dhe pakicave duhet të jenë parakusht esencial i vazhdimit të rrugës së mëtejme drejtë Bashkimit evropian”, tha ai.