Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Jeni të paaftë e të korruptuar”, “Pse po rren” – përplasje e ashpër mes Qeverisë dhe LDK-së

 
   

Shifrat kanë shkaktuar një përplasje mes Qeverisë dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, bëri një postim ku i reagoi Kryetarit të LDK’së, Lumir Abdixhikut, ku pastaj erdhën një varg reagimesh nga kjo parti.

Gjithçka filloi me një postim të Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, i cili tha se çdo deklarim nga pushteti është i mbushur me propagandë. Abdixhiku mori shembull temën e investimeve kapitale, ku tha se pushteti po i llogarit edhe investimet e komunave, ku LDK’ja ka rol qeverisës, për ta bërë vetën të duken më mirë.

E përmendi edhe Byronë për Konfiskimin e Pasurisë tek rasti i konfiskimit të aseteve të Milan Radojçiqit, organizatorit të sulmit terrorist në Banjskë.

“Sa për rikujtim investimet e Qeverisë në këto tre vitet e fundit janë vetëm 11%, më të ulëta në historinë e Kosovës. Ose merreni për shembull propagandën e tyre rreth Byrosë së Konfiskimit të Pasurisë tek rasti i konfiskimit të aseteve të Radojçiqit, në të cilin përndryshe kanë folur vet këta. Por për Byronë thonë se po e bllokon opozita. Byronë e Konfiskimit të Pasurisë e ka votuar LDK-ja, e di sepse e kam votuar vet. Sepse isha aty sepse pushteti s’kishte vota për ta votuar atë. Vetëm falë votave tona u votua Byroja e Konfiskimit të Pasurisë”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku foli edhe për tenderët njëburimorë, ku tha se vetëm gjatë kësaj jave, për pesë ditë, janë nënshkruar shtatë tenderë të rinj secret në këtë Qeveri.

“Por, kur jemi tek hajnat dhe tek burgu vetëm gjatë kësaj jave, vetëm për 5 ditë pune janë nënshkruar plot 7 tenderë të rinj sekret në këtë Qeveri. 4.1 milionë euro të reja janë dhënë në tavolinë sy më sy. Më s’janë 781 kontrata janë 788, më s’janë 209 milionë euro, janë 213 milionë euro. Nga 1 milion euro në ditë po jepen në këtë Qeveri, nëpërmjet negocimit sekret. Kjo është e vërteta, këto janë faktet dhe ne jemi këtu për t’i vendosur faktet para propagandës!”, deklaroi Abdixhiku.

Pas videos së Abdixhikut, reagoi Ministri Hekuran Murati, i cili tha se “Janë çu i madh e i vogël në LDK tash e disa ditë duke dredhë numra e grafikona, vetëm e vetëm që t’a bindin ndokë se rrenat e tyre janë të vërteta”.

Murati tha se për investimet kapitale, të vërtetën e thotë raporti zyrtar financiar, i cili edhe auditohet, duke shtuar se investimet kapitale buxhetore për vitin 2023 janë 561 milionë euro. Sipas tij, kushdo që thotë ndryshe, po e thotë të pavërtetën.

“E dyta, nëse investimet kapitale të komunave në vitin 2023 qenkan 210 milionë euro, kurse në vitin 2017, që LDK-ja e merr si referencë, kanë qenë 110 milionë euro, atëherë demantu për demantu, kjo e demnaton vetëm propagandën e opozitës që komunat nuk po përkrahen me buxhet nga Qeveria Kurti. Pra me fjalë të veta, LDK po e pranon që në Qeverinë Kurti komunat kanë pasur dyfish më shumë buxhet sesa kur ka qeverisur LDK-ja”, ka shkruar Murati.

Lidhur me investimet kapitale në komunat që udhëhiqen nga LDK’së, Murati ka marrë shembull komunën e Prishtinës, ku sipas tij, për vitin 2023 realizimi i buxhetit për investime kapitale ka qenë 42%.

“Dhe e treta, Lumiri na bën pak me humor për investimet kapitale në komunat e LDK-së . Në Komunën e Prishtinës, ku deri së fundmi i kishim bashkë LDK e PDK, dhe ku e kishin shansin ideal të tregonin shembullin se sa të aftë janë për qeverisje, për vitin 2023 realizimi i buxhetit për investime kapitale ka qenë 42%. Vetëm Fushë Kosova është më keq. Këtu me sa shihet nuk u ka ndihmuar fare as konsulenca e shtrenjtë deri në abuzim, në vlerë 12 milionë euro. (A na tregon Lumir cili është rezultati i kësaj konsulence tash e një vit, me kosto 4 milione euro/vit?)”, ka shkruar Murati.

Ndërkohë për tenderët njëburimorë, ka thënë se secili prokurim me negocim direkt e ka bazën në ligj.

“Por Lumiri, flet për “tenderë sekret” a “tenderë njëburimorë” vetëm e vetëm që të krijohet përshtypja tek qytetari që nuk e njeh ligjin e prokurimit, se paska diçka në këtë far pune. Mirëpo Lumiri ka mjaftueshëm njohuri sa ta dijë që këto shprehje “sekret” e “njëburimorë” as nuk ekzistojnë fare në ligj, dhe as nuk përshkruajnë saktë kontratat e negociuara, sepse mund të ketë negocim edhe me më shumë se një operator. Dhe megjithatë Lumiri i përdorë këto shprehje. Pra çfarë tjetër mund t’i thuhet kësaj, kur dikush qëllimshëm mundohet të deformojë të vërtetën, përveçse propagandë Lumir?!”, ka shkruar Murati.

Në fund, duke iu drejtuar Abdixhikut, Murati ka thënë se kjo nuk është e denjë për dikë që pretendon të garaojë për kryeministër.

Muratit menjëherë i ka reaguar deputetja e LDK’së, Doarsa Kica-Xhelili, duke thënë se “gjuha shkon ku dhemb dhëmbi”, derisa i ka bërë edhe  disa pyetje.

“Por meqë paske përmbledhur verzion të ri të propagandës 2.0 tani që 1.0-shin ua çmontuam, a po na përgjigjesh çka ju desh të flisni me Radojçiçin, pronat e të cilit sot lavdëroheni që janë konfiskuar?  Pastaj, përgjigju çka ju desh t’i suspendoni policët, që kërkuan t’i konfiskohet telefoni njeriut tuaj në KEK?  Pastaj përgjigju pse gënjen kur thua që nuk ta votuam Byronë? E pastaj përgjigju PSE s’po e votoni komisionin hetimor për kontratat njëburimore nëse s’keni çka të fshihni? E rrugës, përgjigju edhe si u bë që brenda javës t’i nënshkruani edhe 3 kontrata shtesë sekret në vlerë 4 milionë euro PASI nuk pranuat të hetoheni për 209 milionshin paraprak?”, ka shkruar ajo.

Ka reaguar edhe deputetja Hykmete Bajrami, e cila e ka quajtur Muratin “Ministër të dështimeve kapitale”, dhe ka thënë se po e arsyeton korrupsionin qeveritar.

“Qeverinë e dështimeve, të korrupsionit, të tenderëve njëburimor dhe të tenderëve sekret e ka kapur paniku se po i dalin për çdo ditë dështimet në shesh.  Më së shumti kanë nisur të brengosën ministrat që kanë shënuar rekorde dështimi. Njëri prej tyre është Hekuran Murati, i cili po tenton të mbulojë krimin e korrupsionin me tenderët njëburimor dhe dështimet në investime kapitale”, ka shkruar Bajrami,

Bajrami e ka quajtur kabinetin qeveritar të paaftë dhe të korruptuar.

“Hajde përkraheni Komisionin Hetimor për tenderët njëburimor dhe ta shohin të gjithë krimin e korrupsionin që ka kapluar këtë Qeveri. Jeni të paaftë, të korruptuar dhe s’mund të fshiheni prapa askujt sepse tanimë të gjithë ju njohin. Dhe po e dimë që po të pengojmë por s’do të ndalemi – Propaganda nuk kalon!”, ka shkruar Bajrami.

Me reagim ka dalë edhe deputeti Besian Mustafa, i cili ka thënë se Murati po mashtron.

“Hekuran, pasi e paske përdorë fjalën “rren”, pse po rren ti? Qe t’i shpalosim hajnitë e tua me kontrata sekrete: – Me kontrata sekrete i ke shpenzu 428.192 euro për qera të veturave! – Me kontrata sekrete i ke shpenzu 441.703 euro për sigurimin fizik të objekteve! – Me kontrata sekrete i ke shpenzu 170,754 euro për konsulenta, eksperta dhe programera!”, ka shkruar Mustafa.