Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Irani kërcënon me sulm Izrealin, ShBA në gjendje të lartë gatishmërie

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në gjendje të lartë gatishmërie dhe po përgatiten për një sulm të mundshëm nga Irani ndaj interesave izraelite apo amerikane në rajon, si përgjigje ndaj sulmit ajror të Izraelit tek ambasada iraniane në Siri.

Kështu ka deklaruar të premten një zyrtar amerikan, duke konfirmuar një njoftim të bërë fillimisht në kanalin televiziv CNN, se sulmi mund të ndodhë gjatë javës që vjen.

“Jemi pa dyshim në një gjendje të lartë vigjilence”, tha ai.

Siç raportohet, mendohet se ishin avionët izraelitë që sulmuan ambasadën iraniane në Damask të hënën, duke shënuar kështu një përshkallëzim të rëndësishëm të konfliktit.

Presidenti amerikan Joe Biden e diskutoi këtë çështje gjatë një telefonate të enjten me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

“Ekipet tona mbajnë kontakte të rregullta dhe të vazhdueshme që nga ai moment. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht mbrojtjen e Izraelit nga rreziqet nga Irani”, tha një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Biden.

Ndërkaq, komandanti i Gardës së fuqishme Revolucionare të Iranit paralajmëroi të premten se “burrat tanë guximtarë do ta ndëshkojnë regjimin zionist”, duke përshkallëzuar kështu kërcënimet ndaj Izraelit pas sulmit ajror që vrau më herët këtë javë shtatë zyrtarë të lartë të gardës, ndër ta edhe dy gjeneralë.

Sulmi, për autorësinë e të cilit mendohet gjerësisht se ka përgjegjësi Izraeli, shkatërroi një seksion konsullor të ambasadës iraniane në Siri. Sulmi ndaj një kompleksi diplomatik iranian ishte një përshkallëzim domethënës i asaj që ka qenë një luftë e gjatë në prapaskenë mes dy vendeve armike dhe Izraeli është përgatitur për një kundërpërgjigje./kp