Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Maqedonci: Armatosja e Serbisë, kërcënim për rajonin – FSK-ja e gatshme për mbrojtje të vendit

 
   

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, lidhur me vendosjen e shumë njësive ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën, thotë se “ne jemi gjithmonë të gatshëm, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka në gatishmëri njësitet e saja për çdo kërcënim dhe rrezik që paraqitet në vendin tonë”.

Në një intervistë të dhënë për “Anadolu”, Maqedonci ka folur për tensionet e fundit me Serbinë, procesin e shndërrimit të FSK-së në ushtri, planet për t’u anëtarësuar në NATO, ndihmën e tyre ushtarake për Ukrainën dhe marrëdhëniet ushtarake Kosovë-Turqi.

Maqedonci tha se vendosja e shumë njësive ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovën paraqet rrezik, derisa theksoi se ushtria dhe xhandarmëria serbe kanë 48 baza operative në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Duke i shtuar kësaj militarizimin e ushtrisë dhe Serbisë në përgjithësi, ku vlen të theksohet blerja e sistemeve të ndryshme të armatimit nga Kina, Rusia, madje edhe Irani, e shohim këtë si një kërcënim të vazhdueshëm të sigurisë në Republikën e Kosovës por edhe në vendet e tjera përreth”, theksoi Maqedonci.

Sipas ministrit kosovar, këto zhvillime bazohen në politikën hegjemoniste dhe agresive të qeverisë serbe ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë.

“Kjo gjë thuhet haptas. Kemi pasur deklaratat e fundit të presidentit Vuçiq se Serbia pret një moment të favorshëm për të marrë veprime ushtarake kundër Kosovës, por kjo na jep të dimë se duhet t’i zhvillojmë kapacitetet tona dhe të ndërtojmë ushtrinë tonë jo vetëm për të përballuar këtë kërcënim, por edhe për t’u ballafaquar me kërcënime të tjera që cenojnë sigurinë dhe territorin e vendit tonë”, theksoi ai.

Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO

Ministri Maqedonci tha se janë në fazën e dytë të realizimit të planit për transformimin e FSK-së në ushtri, me fokus në rritjen e kapaciteteve këmbësorike dhe luftarake për mbrojtjen e rajonit dhe se do të kalojnë në fazën e tretë dhe të fundit në vitin 2025 dhe në këtë kontekst, do të fokusohen në ndërtimin e kapaciteteve të artilerisë, mbrojtjes ajrore, si dhe kapaciteteve mbështetëse luftarake, deri në vitin 2028.

Duke theksuar se aktualisht FSK-ja ka personel me rreth 4 mijë pjesëtarë, Maqedonci tha se në mesin e tyre janë 55 pjesëtarë turq të Kosovës.

Ai tha se anëtarësimi në NATO është ndër synimet strategjike të sigurisë kombëtare të Kosovës, shtuar thënë se kanë krijuar kapacitete mbrojtëse në përputhje me doktrinën e NATO-s dhe se të gjitha pajisjet dhe sistemet e armatimit i kanë blerë sipas standardeve të NATO-s.

“Blerjet e armatimit janë të drejtuara në vendet e NATO-s, ne nuk blejmë nga asnjë vend që nuk është pjesë e NATO-s. Kryesisht jemi fokusuar të bëjmë blerje nga vendet me të cilat kemi partneritet më të afërt, si SHBA, Turqia, Gjermania dhe vende të tjera”, theksoi ministri, duke nënvizuar se nga viti 2021 deri në vitin 2023 kanë ndarë mbi 200 milionë euro për blerjen e armëve dhe pajisjeve të ndryshme në kuadër të transformimit të FSK-së në ushtri.

Kosova do të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën

Ministri Maqedonci deklaroi se janë gjithmonë të gatshëm të mbështesin “luftën e drejtë për liri” të Ukrainës.

Ai tha se ndihma, të cilën ai e quan modeste, është shumë e rëndësishme për Ukrainën në këtë fazë të vështirë të luftës së tyre për liri.

“Qeveria e Kosovës ka vendosur të ofrojë dy pako mbështetëse për Ukrainën. Pakoja e parë do të dërgohet këtë javë për në Ukrainë dhe përbëhet nga kamionë taktikë, automjete taktike dhe autoblinda ushtarake. Kurse pakoja e dytë që përbëhet nga predha mortajash 120, 81 dhe 60-milimetërshe, do të dërgohet gjithashtu së shpejti në Ukrainë”, theksoi Maqedonci.

Ne kemi “marrëdhënie të veçanta” me Turqinë në fushën ushtarake

Maqedonci tha se ushtarët turq që shërbejnë në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999 janë shumë të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

Ai tha se Kosova me Turqinë kanë “marrëdhënie të veçanta” në fushën ushtarake, bazuar në lidhjet kulturore dhe historike.

“Ne në vazhdimësi kemi njësi dhe individë që i trajnojmë në Republikën e Turqisë. Kemi shumë ekipe të ushtrisë turke të cilat në Kosovë zhvillojnë trajnime të ndryshme për njësitë e FSK-së. Kemi gjithashtu raporte të shkëlqyera në aspektin e industrisë ushtarake, pra, më saktësisht të blerjeve ushtarake. Në këtë aspekt, për të rritur më shumë këtë bashkëpunim, në fillim të këtij viti nënshkruam një marrëveshje kornizë ushtarake me Republikën e Turqisë në Ankara bashkë me ministrin (Jashar) Gyler. Gjithë kjo mbështetje që Turqia ofron për kapacitetet mbrojtëse të vendit tonë janë vërtet vitale që vendi ynë, më saktë Ministria jonë e Mbrojtjes dhe FSK, të kenë sot një nivel të lartë profesionalizmi dhe ndoshta të jetë ndër ushtritë më të zhvilluara në rajon në aspektin e gjithëmbarshëm”, theksoi ai.

Duke folur për dronët “Bayraktar TB2”, që Kosova i bleu nga Turqia gjatë vitit të kaluar, Maqedonci theksoi se proceset e testimit dhe trajnimit me to janë duke vazhduar.

“Njësitë e veçanta që merren me drejtimin e Bajraktarëve TB2, zhvillojnë aktivitete të ndryshme me ta dhe me të vërtetë ne i shohim si asetet kyçe të FSK-së”, theksoi ministri.

Duke deklaruar se në inventarin e FSK-së kanë produkte turke si raketa kundërtank “Omtas” dhe automjete “Vuran” me sistem të integruar të armatimit të mortajave 120 milimetër, Maqedonci shtoi gjithashtu se do të blejnë nga SHBA-ja raketa kundërtank “Javelin”, për të cilat procesi ende po vazhdon.

FSK-ja, e cila u themelua në vitin 2009 për të ofruar operacione për menaxhimin e krizave në Kosovë dhe përtej kufirit, për të shërbyer në operacionet e mbrojtjes civile në vend dhe në fatkeqësitë natyrore dhe emergjenca të tjera, filloi procesin e transformimit të saj në ushtri me ndryshime ligjore nga viti 2018. Procesi pritet të zgjasë 10 vjet.