Gjatë vitit 2023 Prokuroria e Posaçme dhe Prokuroritë e rretheve kanë përgjuar 5827 shtetas shqiptarë duke i ndarë në dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kështu hetuesit specialë gjatë vitit që lamë pas për veprën penale të korrupsionit kanë përgjuar 1436 persona, e ndërsa për krim të organizuar 1899 shtetas.
SPAK në raport thotë se metodën e përgjimit e ka përdorur në 186 procedime penale më shumë se një vit më parë.
Ndërsa për krimin e organizuar hetuesit kanë përgjuar 1899 persona në 53 procedime penale.
Edhe prokuroritë e rretheve janë angazhuar edhe në sektorin e përgjimeve. 2675 pajisje fundore në përdorim që u përkasin 2492 subjekteve janë vënë nën monitorim. Në total janë ekzekutuar 1121 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata dhe 456 urdhra/autorizime të prokurorit.
Zgjedhjet vendorë të vitit 2023 nuk kanë kaluar pa u vënë re edhe nga SPAK dhe prokuroritë e rretheve të cilët kanë hetuar persona të cilët dyshohen se kanë kryer krime zgjedhore.
Në SPAK janë denoncuar 53 raste.
Në vlerësimin e kësaj prokurorie, në 10 prej tyre është vendosur mos fillim procedimi.
Në lidhje me 3 materiale dhe informacione, SPAK ka vendosur mos pranim të akteve dhe ridërgim materiali në Prokurorinë e Përgjithshme.
Po ashtu 4 prej tyre është dërguar për kompetencë në prokuroritë e rretheve e ndërsa për 36 prej tyre është vendosur mos fillimi për shkak se nuk janë përfituar element të veprave penale.
Ndërkohë në prokuroritë e rretheve janë regjistruar 25 procedime penale me 19 të pandehur. Janë dërguar për gjykim 14 persona dhe janë dënuar 2 të shtetas.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme rezulton se peshën më të madhe të procedimeve të regjistruara e përbën vepra penale e “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, për të cilën janë regjistruar 8 procedime penale dhe 6 të pandehur.
Për veprën penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar” janë regjistruar 5 procedime penale dhe 10 të pandehur.
Nga verifikimet rezulton se për Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje janë regjistruar 4 procedime penale dhe është dënuar 1 person.