Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dhjetëra mijëra njerëz protestojnë në Budapest kundër Viktor Orbanit

Dhjetëra mijëra qytetarë protestuan kundër Qeverisë së kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, në qendër të Budapestit të shtunën.

Protesta u udhëhoq nga një avokat dikur i afërt me administratën, i cili së fundmi e krijoi një lëvizje politike për ta sfiduar kryeministrin.

Protestuesit marshuan drejt Parlamentit në motin e ngrohët pranveror, disa prej të cilëve duke brohoritur “ne nuk frikësohemi” dhe “Orban, jep dorëheqje!”

Shumë prej tyre ishin veshur me ngjyra kombëtare, kuq, bardh e gjelbër, ose bartnin flamuj kombëtarë, simbole që partia e Orbanit i ka përdorur si të vetat në dy dekadat e fundit.

“Këto janë ngjyrat kombëtare të Hungarisë, jo të Qeverisë”, tha 24-vjeçarja Lejla, e cila udhëtoi drejt Budapestit nga Sopron, një qytet në kufirin perëndimor të vendit.

Marshi u udhëhoq nga Peter Magyar, 43 vjeç, i cili dikur ishte i martuar me ish-ministren e Drejtësisë në Qeverinë e Orbanit, Judit Varga, dhe i cili synon ta sfidojë Orbanin me partinë e vet të re.

Magyar u bë shumë i njohur në shkurt, kur bëri komente tronditëse për punën e brendshme të Qeverisë. Ai e akuzoi Antal Roganin, ministrin i cili e udhëheq zyrën e Orbanit, se është në krye të një makine të propagandës së centralizuar, shkruan REL.

Ai e publikoi gjithashtu edhe një incizim të një bisede me ish-bashkëshorten, ku ajo flet në hollësi për një tentim nga një ndihmës i lartë i shefit të kabinetit të Orbanit për të ndërhyrë në një rast ryshfeti. Prokurorët janë duke i hetuar deklaratat e tij.

Ky hetim po bëhet në një kohë të ndjeshme politikisht për Orbanin, pasi zgjedhjet parlamentare në Bashkim Evropian do të mbahen në qershor. Ky rast vjen po ashtu pas një skandali të abuzimit seksual që për pasojë kishte rrëzimin e dy aleatëve të tij të rëndësishme në politikë – ish-presidentin dhe Vargan – në shkurt.

Sipas një sondazhi nga Median, i publikuar në mars, 68 për qind të votuesve kanë dëgjuar se Magyar i është futur politikës dhe 13 për qind kanë thënë se ka mundësi që ata ta mbështesin partinë e tij.

Tags: