Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kosova i kërkon sqarim BE-së për heshtjen ndaj shkeljeve të marrëveshjeve nga Serbia

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti i ka kërkuar publikisht sqarime Bashkimit Evropian për heshtjen ndaj shkeljeve të marrëveshjes bazike nga Serbia.

Themelimi i grupit nga Beogradi për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Ekzekutivi kosovar e konsideron shkelje edhe të shkronjës, por edhe frymës së marrëveshjes.

Nga Qeveria kanë thënë se BE-ja duhet të tregojë pse nuk po e luan rolin e arbitrit mes palëve.

“Hezitimin e sërishëm të Bashkimit Evropian që të luaj rolin e arbitrit që i takon për marrëveshjen për të cilën jemi dakorduar në kryeqytetin e Bashkimit Evropian, pikërisht nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më së mirë është ta sqaroj dhe arsyetoj Bashkimi Evropian. Në komunikimet tona të brendshme me ndërmjetësin kemi ngritur shqetësimet për veprimet e Serbisë dhe heshtjen ndërkombëtare ndaj këtyre veprimeve”, tha Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.

Në anën tjetër, Ekzekutivi është i bindur se Serbia nuk do të mund ta ndalë anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Në përgjigjen për RTV Dukagjinin thuhet se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po vazhdon me angazhimin intensiv në sigurimin e mbështetjes për votim të suksesshëm më 16 prill në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Por, hezitimi i djeshëm i BE-së që të konstatojë se Serbia po e shkel marrëveshjen bazike po kritikohet edhe nga njohës të procesit të dialogut.

“Mosdeklarimi i tij përnjëmend është element i hipokrizisë por në instancë të fundit është një sinjal që ata e konsiderojnë Kosovën fajtore për zhvillimet dhe për këtë arsye nuk duan që të relativizojnë përgjegjësitë e Kosovës në raport me vështirësitë e shfaqura në dialog”, tha Milazim Krasniqi, profesor universitar.

Krasniqi vlerëson se dialogu ka dështuar dhe se sanksione do duhej të ishin vendosur ndaj Serbisë.

E i një zëri është edhe analisti Artan Muhaxhiri.

“Së paku një qortim, një kritikë publike do duhej të ishte bërë Serbisë, të mos kalojë ky veprim dhe ky mobilizim i presidentit Vuçiq në heshtje sepse është shkelje e drejtpërdrejt e zotimeve që janë marrë në Ohër, shumë keq por s’duhet harruar që edhe Kosova edhe Serbia i kanë rrugët e ndara drejt BE-së”, tha Artan Muhaxhiri, analist politik.

Neni 4 i marrëveshjes bazike të arritur vitin e kaluar thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Të premten, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk është përgjigjur drejtpërdrejt në pyetjen e gazetarëve nëse Serbia po e shkel marrëveshjen me themelimin e një ekipi për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Stano përsëriti se të dyja palët do të përballen me “pasoja serioze” në rrugën integruese drejt BE-së nëse nuk e zbatojnë, por nuk foli veçanërisht për Serbinë. /Dukagjini