Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Atifete Jahjaga para 13 vjetësh u zgjodh presidente

 
   

Me 80 vota për Kuvendi i Kosovës, më 7 prill 2011 ka zgjedhur ish-zëvendësdrejtoren e përgjithshme të Policisë së Kosovës, Atifete Jahjagan, në postin e presidentes.

Jahjaga ishte kandidatja e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christopher Dell.

Ajo fitoi në rrethin e parë të votimit. Për kundërkandidate kishte deputeten e AKR-së, Suzana Novobërdaliun, e cila mori vetëm 10 vota, përderisa 10 vota të tjera ishin të pavlefshme.

Presidentja e zgjedhur ka dhënë betimin para Kuvendit se do të mbrojë Kushtetutën, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.

Në fjalimin e parë para Parlamentit, Jahjaga tha se ka vullnet dhe vetëbesim që të ndihmojë reformat dhe ndryshimet pozitive në Kosovë. Procesi i votimit ishte bojkotuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në fund, me 75 vota për dhe 2 abstenime Kuvendi ka miratuar edhe rezolutën, me të cilën përkrah marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi, liderit të LDK-së, Isa Mustafa, dhe ish-kandidatit për president, Behxhet Pacolli.

Në këtë marrëveshje është përfshirë edhe pajtimi i treshes për ndryshime kushtetuese, reforma zgjedhore, zgjedhjet presidenciale pas afërsisht një viti e gjysmë dhe zgjedhjet parlamentare pas afërsisht dy vjetësh e gjysmë.

Atifete Jahjaga u lind më 20 prill 1975 në Gjakovë, ndërkaq shkollimin fillor, atë të mesëm dhe studimet në Fakultetin Juridik i kreu në Prishtinë. Përfundoi edhe studimet në Universitetin Leicester në Angli, certifikimin post-diplomik në menaxhimin policor dhe të së drejtës penale në vitin 2006/2007 dhe certifikimin post-diplomik në shkenca kriminalistike në Universitetin e Virxhinias në SHBA.

Karrierën e nisi në Policinë e Kosovës, duke qenë e angazhuar në sektorë të ndryshëm të këtij institucioni, që nga patrullimi e deri te hetuesia.

Ka kryer edhe trajnimin në Qendrën Evropiane të Sigurisë “George Marshall” në Gjermani dhe Akademinë Nacionale të FBI-së në Departamentin e Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jahjaga ka ushtruar postin e zëvendësdrejtores së përgjithshme të Policisë së Kosovës, ndërsa një kohë ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni.