Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar sot martirët e dëshmorët e kombit në 25-vjetorin e masakrave serbe në Polac dhe Abri të Poshtme.
Ajo tha se martirët dhe dëshmorët do të kujtohen dhe para tyre përkulen me respekt.
“Polaci dhe Kosova sot kujtojnë prillin e vitit 1999, kur regjimi gjenocidal i Serbisë në një ofensivë njëjavore, vrau 78 martirë të këtij fshati dhe atyre përreth. Sot i kujtojmë dhe përulemi me respekt edhe për tetë dëshmorët e UÇK-së, të cilët ranë në altarin e lirisë. Makineria e regjimit gjenocidal të Serbisë afro dy muaj para kapitullimit të saj, intensifikoi përpjekjet për shfarosjen e popullit shqiptar dhe spastrimin etnik anembanë Kosovës. Më 7 prill makineria vrastare njësoj veproi edhe në Abri të Poshtme, ku u vranë 10 civilë nga Qabiqi,” ka shkruar Osmani në Facebook.
Osmani tha se duke përkujtuar martirët dhe dëshmorët e UÇK-së, nderohet e kaluara, teksa nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi, në mënyrë që autorët e këtyre krimeve makabre të sillen para drejtësisë.