Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj ka njoftuar se është takuar me kreun e agjencisë së inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kyrylo Budanov.
Haradinaj tha se Budanov është njeriu më i kërkuar i Putinit, pasi udhëheq në mënyrë kolosale operacione efektive të inteligjencës kundër Rusisë.
“Takimi @ChiefDI_Ukraine Kyrylo Budanov në Kiev ishte një nder i madh. Më i kërkuari i Putinit dhe shtylla kurrizore e mbrojtjes së Ukrainë, Budanov drejton në mënyrë kolosale operacione efektive të inteligjencës kundër Rusisë”.
Haradinaj tha se shprehu mbështetjen e përzemërt për luftën e Ukrainës për liri, dhe gjithashtu shpresat e mëdha të Kosovës për lidhje edhe më të forta miqësie me Ukrainën dhe popullin e saj.
“Budanov përgëzoi vendin tonë për përballjen me sukses të ambicieve shkatërruese të Putinit në Ballkan dhe falënderoi Kosovën për solidaritetin dhe mbështetjen ushtarake të ofruar për Ukrainën”, shkroi Haradinaj në platformën “X”.
Mirëpo, ky takim nuk është pritur mirë nga eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Shala nëpërmjet një postimi në Facebook ka ftuar Prokurorinë që t’i nis hetimet në lidhje me këtë takim.
Shala me këtë rast parashtroi edhe disa pyetje për organet kompetente, duke shprehur edhe habinë se si ka mundësi që një ish-zyrtar i lartë i shtetit të Kosovës (në ate kohe në pozitën e ministrit të Jashtëm të Kosovës) takon dhe vizitonë shefin e inteligjencës së Ukrainës?
Postimi i plotë:
Prokuroria Speciale duhet të nisë hetimet!
Si ka mundësi që një ish-zyrtar i lartë i shtetit të Kosovës (në ate kohe në pozitën e ministrit të Jashtëm të Kosovës) takon dhe viziton shefin e inteligjencës së Ukrainës?
Pra pyetjet
1. Kush e autorizoi një ish-zyrtar shtetëror të takohet me shefin e Inteligjencës së një shteti tjetër me të cilin nuk kemi marrëdhënie shtetërore (ai nuk na njeh)?
2. Çfarë është biseduar me kreun e Inteligjencës në atë vend?
3. A e ka njoftuar ish-zyrtari i shtetit të Kosovës mekanizmin e sigurisë në Republikën e Kosovës (AKI) për një takim të tillë?
4. A është cenuar interesi i Kosovës me këtë takim?
Nga pikëpamja e sigurisë, takime të tilla dëmtojnë sigurinë kombëtare të vendit!