Të enjten, filloi zbatimi i Urdhrit Ndalues lidhur me pasuritë e paluajtshme të Milan Radoiçiqit, kryekriminelit të veriut të Kosovës, i identifikuar edhe si udhëheqës i sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.
Këtë e ka bërë të ditur, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Ministria e Drejtësisë, përmes zyrtarëve të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, ka nisur zbatimin e Urdhrit Ndalues përfundimtar me masë të përkohshme, lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska.
Pas bastisjes që u bë në pronat e tij në veri, ditë më parë, Prokuroria doli edhe zyrtarish me njoftim, ku tregoi në detaje për gjërat që ka konfiskuar.
Mirëpo, pavarësisht këtyre aksioneve dhe fletarrestit të lëshuar nga INTEPOL-i, Radoiçiqi vazhdon të jetë i lirë.
E në lidhje me këtë çështje, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.
Së pari, ai potencoi se shteti serb do refuzojë ta ekstradojë Radoiçiqin, ku me shumë gjasë gjykimi do të mbahet në mungesën e tij, mirëpo që mbarëvajtja e gjykimit të tij, duhet të përgatitet në mënyrë shumë profesionale.
Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.
“Edhe përkundër faktit se në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të institucioneve të Kosovës, përmes Misionit të OKB-ës në Kosovë, Interpoli kishte lëshuar fletarrest për Milan Radoiçiqin, ai edhe më tutje gjendet në liri.
Meqenëse Serbia nuk do ta ekstradojë Radoiçiqin, sipas të gjitha gjasave gjykimi do të mbahet në mungesën e tij, ashtu siç e parashikon ligji. Prandaj duke pasur parasysh kompleksitetin, rëndësinë, voluminozitetin, përfshirjen e EULEX-it, KFOR-it dhe hetimeve të ndërkombëtarëve, organizimi dhe mbarëvajtja e gjykimit të Radoiçiqit dhe të tjerëve, duhet të përgatitet në mënyrë shumë profesionale dhe të detajuar, e sidomos nga fakti se bëhet fjalë për gjykim në mungesë, vendim që në kushte dhe rrethana tjera, mund të kontestohet”, deklaroi juristi.
Po ashtu, Musliu komentoi edhe konfisikimin e pronave të Radoiçiqit, derisa tha se Lista Serbe me reagimet e saj na bëri të kuptojmë se po i frikësohet konfiskimit të pasurisë së tyre.
“Edhe pse, Serbia Kosovën e konsideron si pjesë të saj, me legjislacionin aktual të Serbisë, Radoiçiqi do të duhej të gjykohej në vendin ku është kryer vepra penale, pra në Kosovë, mirëpo Serbia as ligjet e veta nuk i respekton.
Mirëpo, në pritje të ekstradimit eventual dhe mbajtjes së procesit gjyqësor, ditë më parë, me vendim – urdhër të gjykatës kompetente, Agjencioni për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, konfiskoi dy prona të paluajtshme në Mitrovicën e Veriut dhe një në komunën e Zubin Potokut, që ishin në pronë të Radoiçiqit. Pas këtyre konfiskimeve reagoi Lista serbe, duke deklaruar se konfiskimet janë të pabazuara dhe të paligjshme që, mendoj se, më shumë shprehin frikën e tyre se do t’iu konfiskohet edhe pasuria e tyre e fituar nga krimi i organizuar, se sa nga padrejtësia”, shpjegoi ai.
Më tej, jurisiti tha se nuk është vetëm Radoiçiqi që ka fituar pasuri nga kontrabandimi dhe korrupsioni.
Në këtë pikë, ai përmendi edhe disa politikanë tjerë serbë, por edhe disa politikanë dhe biznesmenë shqiptarë që bashkëpunonin me ata.
“Nuk është vetëm Radoiçiqi që ka fituar pasuri nga korupsioni dhe krimi i organizuar, por ka edhe shumë të tjerë, sikurse Veselinoviqi, Rakiqi, Simiqi, Jeftiqi…..Në këtë grup mafioz duhet të përfshihen dhe të hetohen edhe të gjithë politikanët dhe biznesmenët e inkriminuar shqiptarë të cilët ishin pjesë e përbashkët e korupsionit, krimit të organizuar dhe nëntokës. « Infuzionin » kryesor për forcimin ekonomik dhe financiar të Radoiçiqit, dhe jo vetëm, e kanë dhënë politikanët dhe komandantët mercenarë, që bashkëvepruan në kontrabandën me drogë, qenie njerëzore, mallëra të kontrabanduara…., përveç tjerash, edhe duke i dhënë tendera milionëshe. Prandaj edhe politikanët shqiptarë, që u pasuruan bashkë me Radoiçiqin dhe të tjerët, sipas procedurave ligjore duhet t’iu konfiskohet pasuria”, nënvizoi Musliu.
Ndër të tjera, ai tha se SHBA dhe Britania e Madhe do duhej të shpallnin non-grata edhe disa politikanë shqiptarë, të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë me Radoiçiqin, Veselinoviqin dhe të tjerët.
“Radoiçiqin, dhe jo vetëm, në dhjetor 2021 e sanksionoi Departamenti amerikan i Thasarit, kurse në vitin 2022 e bëri edhe Mbretëria e Bashkuar, gjykoj se në të njëjtën kohë është dashur edhe politikanët shqiptarë, që sot janë në opozitë dhe po i bllokojnë reformat në drejtësi, të shpallen persona non grata, që fatkeqësisht nuk ndodhi. Të njëjtit politikanë të korruptuar, vitin e kaluar, pa kurfar turpi dhe morali, e linçuan deputeten e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, për një bisedë indirekte telefonike me Radoiçiqin që, në bindjen time, vet këta ia kishin kurdisur, kurse të njëjtit kanë qenë bashkëpunëtorët më të ngushtë me Radoiçiqin, Veselinoviqin dhe të tjerët, të cilët edhe ua siguronin votot për formimin e qeverive duke i mbajtur në pushtet.
Dhe në fund dëshiroj të theksoj se, presionet dhe kërcënimet e SHBA-së dhe BE-së ndaj Vuçiqit për ekstradimin e Radoiçiqit, nuk janë efikase dhe nuk japin rezultate, siç na ka mësuar përvoja, por i vetmi instrument që mund ta detyrojë Vuçiqin, janë sanksionet e ashpra dhe serioze, edhe pse, Vuçiqi më parë do ta « ekstradonte » Radoiçiqin drejt Hungarisë apo Rusisë”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.