Presidenti i Serbisë, Aleksadar Vuçiq, gjatë një adresimi të përbashkët në Paris me homologun francez, Emmanuel Macron, tha se qëndrimi se Prishtina dhe Beogradi “kanë bërë diçka” në dialogun për normalizimin e raporteve nuk është i vërtetë, pasi “njëra palë nuk ka bërë asgjë”, duke iu referuar Kosovës.
Gjatë konferencës për media pas takimit me Macronin, Vuçiq foli për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Udhëheqësi serb pretendoi se Serbia ka përmbushur “tri gjëra” sa i përket Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit – të arritur vitin e kaluar – dhe parakusht i saj, sipas tij, ka qenë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që Kosova nuk e ka përmbushur.
“[Kosova] po kryen shpronësim në veri, nuk ka hetim për plagosjen e serbëve në Kosovë”, tha Vuçiq.
Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit shkurtin e vitit të kaluar në Bruksel, ndërkaq në mars të vitit 2023, në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.
Zyrtarët në Beograd vazhdimisht kanë thënë se nuk do të zbatojnë të 11 pikat e marrëveshjes. Kosova po ashtu deri më tani nuk ka zbatuar obligimet e saj, veçmas ato që kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit.
Paraprakisht, Brukseli kishte akuzuar të dyja palët për moszbatimin e marrëveshjes.
Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.