Kursi i këmbimit të Euros me Lekun, e ka nisur javën me rënie të mëtejshme dhe ka prekur nivelin më të ulët të vitit 2024. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të hënën me 102.26 lekë, niveli më i ulët që nga 11 dhjetori i vitit të kaluar.
Në muajin e fundit, kursi i këmbimit Euro-Lek ka pësuar rënie me afërsisht 1.6%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rënia e kursit ka arritur në 9.4%.
Rënia e kursit të Euros, po reflektohet edhe në kursin e valutave të tjera kryesore.
Dollari Amerikan, ra sot në vlerën e 94.44 lekëve dhe po i afrohet përsëri nivelit më të ulët vjetor, që e ka regjistruar më datë 21 mars (në vlerën 94.16 lekë). Me bazë vjetore, kursi i këmbimit Dollar-Lek paraqitet në rënie me 8.7%.
Edhe Paundi Britanik, ra në vlerën e 119.25 lekëve, shumë afër nivelit minimal vjetor, që ishte regjistruar më datë 3 janar.
Me hyrjen e tremujorit të dytë, ekspertët mendojnë se tashmë kursi i këmbimit valutor po shfaq efektet e ndikimit në rritje të turizmit.
Një tendencë e ngjashme u vërejt edhe vitin e kaluar, afërsisht në të njëjtën periudhë. Po të kemi parasysh dinamikën sezonale të turizmit, është e pritshme që ky efekt të forcohet gjatë muajve në vazhdim. E njëjta gjë ndodhi edhe gjatë vitit 2023.
Deficiti i llogarisë korrente preku vlerën më të ulët historike për vitin 2023, në vlerën e 191 milionë eurove, me rënie 78% krahasuar me vitin 2022.
Shërbimet dhe në veçanti turizmi dhanë efektin kryesor. Llogaria e jashtme në shërbime vitin e kaluar ishte pozitive në vlerën e 3.4 miliardë eurove, në rritje me 43% krahasuar me një vit më parë.
Më shumë se gjysma e suficitit në shërbime erdhi nga turizmi. Statistikat treguan se të ardhurat neto në zërin e udhëtimeve të Bilancit të Pagesave kishin vlerën e 1.84 miliardë eurove, në rritje me 72% krahasuar me vitin 2022.
Për më tepër, vlera rekord e investimeve të huaja direkte, prej gati 1.5 miliardë eurosh (ku një pjesë e madhe janë investime në pasuri të paluajtshme), e ka tejkaluar me më shumë se shtatë herë vlerën e deficitit të llogarisë korrente.
Kjo tregon se flukset valutore hyrëse në ekonomi, kanë qenë më të mëdha se ato dalëse, që e ka ulur kursin e këmbimit të Euros në nivelet më të ulëta historike.
Mbështetur në tendencën e hyrjeve të shtetasve të huaj dhe pritshmëritë e operatorëve turistikë, gjasat janë që gjendja e bilancit të pagesave të vijojë përmirësimin edhe gjatë vitit 2024.
Në këto kushte, nuk është e papritur që raportet e kursit të këmbimit po vazhdojnë të anojnë në favor të Lekut./MONITOR