Nga Bashkimi Evropian i kanë thënë Gazetës Express se ju vjen keq për vendimin e Listës Serbe për të mos marrë pjesë në votimin e 21 prillit për shkarkimin e kryetarëve aktualë në katër komunat në Veri.
“BE’së i vjen keq që Lista Serbe ka vendosur që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e shkarkimit të planifikuara për 21 prill në katër komunat veriore. Kjo vjen pas bojkotit e mëparshëm të zgjedhjeve lokale të prill të 2023 në veri të Kosovës.”
BE ka përsëritur që zgjedhjet e 23 prillit vitin e kaluar nuk prodhuan zgjidhje afatgjate.
“Edhe pse zgjedhjet lokale të prillit 2023 u zhvilluan në linjë me kornizën ligjore të Kosovës, ato nuk prodhuan zgjidhje politike afatgjate pasi bojkoti nga serbët e Kosovës rezultoi me një pjesëmarrje shumë të ulët.”
Në përgjigje thuhet se BE ka marrë parasysh shqetësimet e serbëve të Kosovës dhe i ka bërë thirrje Listës Serbe që ta rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë në votimin e 21 prillit.
“Ne kemi marrë parasysh shqetësimet e serbëve të Kosovës sa i përket procesit që mundëson zgjedhje të reja lokale. Megjithatë, ne i bëjmë thirrje Listës Serbe ta rikonsiderojë vendimin për mos të marrë pjesë, pasi demokracia ka të bëjë me pjesëmarrjen, dhe elektoratin e serbëve të Kosovës që të shfrytëzojë të drejtat e tyre dhe të shprehin opinionet e tyre politike në kutitë e votimit.”
BE ka thënë se është kritike që zgjedhjet lokale të mbahen në Veri dhe që serbët të marrin pjesë.
“BE rikujton se është kritike që zgjedhjet lokale gjithëpërfshirëse, ku serbët e Kosovës marrin pjesë pa parakushte, të mbahen në katër komjnat në Veri të Kosovës. Mbajtja e zgjedhjeve të reja për kryetar komune do të siguronte një qeverisje vendore plotësisht përfaqësuese në veri dhe do të ndihmonte në përshkallëzimin e situatës. Vota për shkarkim është një hap në këtë drejtim.”
BE, po ashtu, ka shtuar se është i domosdoshme kthimi i serbëve në institucione.
“Që kur serbët e Kosovës u larguan nga institucionet në Veri të Kosovës në nëntor 2022, BE me partnerë janë angazhuar me Kosovën dhe Serbinë që ta bëjnë të mundur kthimin e tyre në institucione. Është e domosdoshme që të kthehemi në një situatë ku serbët e Kosovës marrin pjesë në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës.”
Ambasada e SHBA: E rëndësishme që qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre
Ndërkaq, ambasada amerikane në Kosovë dje në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se është e rëndësishme që qytetarët të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre për të larguar zyrtarët e zgjedhur në përputhje me ligjin në Kosovë, nëse ata vendosin ta bëjnë një gjë të tillë.
“Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar: Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime që e mbështesin atë. Në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë një votim për largimin e kryetarëve më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës. Siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë.”
Nga kjo ambasadë kanë thënë se vlerësojnë përpjekjet për të lejuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në votimin e 21 prillit.
Ambasada shton se në këtë proces mundësi pjesëmarrje kanë edhe komuniteti serb.
“Ne vlerësojmë përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për të lejuar të gjithë qytetarët kosovarë të marrin pjesë në këtë proces demokratik. Të gjithë qytetarët e regjistruar në veri të Kosovës kanë mundësi të marrin pjesë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për Express.
“Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe se do tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për shkarkimin e kryetarëve”, thuhet në përgjigje.
Ambasada ka thënë se pret që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve në veri gjatë procesit.
Tutje, në përgjigje thuhet se SHBA dhe partnerë tjerë do ta ndjekin këtë proces nga afër.
“Pjesëmarrja demokratike ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike. Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër.”
Kryetari i Listës Serbe: Votimi i 21 prillit, jolegjitim
Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek të hënën tha se kjo parti është kundër votimit të 21 prillit për largimin e kryetarëve shqiptarë të veriut.
Ai tha se votimi është “jolegjitim”, pasi sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “bëri gjithçka që ai referendum të mos ketë sukses”.
Elek tha se Udhëzimi Administrativ, i cili u miratua më 5 shtator të vitit të kaluar, “është i vështirë për t’u zbatuar për shkak të pengesave të kryetarëve të kuvendeve komunale”.
Sipas tij, të dhënat tregojnë se në veri janë 46.248 votues dhe sipas udhëzimeve të KQZ-së duhet të dalin 50 për qind e votuesve plus një votë.
“Në disa raste, gjatë takimeve me përfaqësues të vendeve të QUINT-it dhe ambasadorë, kemi paralajmëruar se këto të dhëna nuk janë të sakta dhe se nuk e ruajnë gjendjen e vërtetë në terren, sepse në muajt e fundit, më shumë se 15 për qind e njerëzve. nga veriu i Kosovës janë shpërngulur. Fatkeqësisht, nuk kemi gjetur mirëkuptim”, tha Elek, i cili përmendi format tjera të largimit të kryetarëve shqiptarë.
Ai u shpreh i sigurt se “kryetarët shqiptarë do të qëndrojnë deri në përfundim të mandatit të tyre”, duke treguar se për ankesat e tyre i kanë njoftuar edhe ndërkombëtarët. Elek u ankua edhe për vendimin e KQZ’së për vendosjen e kamerave në vendvotime.
“Nuk kam parë që të mbahet ndonjë referendum në prani të kamerave. Propozimi është që referendumi të bëhet në shkollat që janë pjesë e sistemit arsimor serb. Shqiptarët duan që të vendosen kamera në çdo klasë dhe korridor, ndaj morën hua një numër të caktuar kamerash nga KQZ-ja në Shqipëri. Me të drejtë populli shtron pyetjen se si do të jenë kamerat në qendrat e votimit, nëse kemi komisione zgjedhore dhe kaq shumë kontroll dhe tani duhen më shumë kamera”, ai.
Ai theksoi gjithashtu se janë parashikuar procedura të pamundura për votim për largimin e kryetarëve më 21 prill.
“Nuk kam parë që të mbahet ndonjë referendum në prani të kamerave”. Propozimi është që referendumi ë bëhet në shkollat që janë pjesë e sistemit arsimor serb. Shqiptarët duan që të vendosen kamera në çdo klasë dhe korridor, ndaj morën hua një numër të caktuar kamerash nga KQZ-ja në Shqipëri. Me të drejtë populli shtron pyetjen se si do të jenë kamerat në qendrat e votimit, nëse kemi komisione zgjedhore dhe kaq shumë kontroll dhe tani duhen më shumë kamera”, tha Elek.
Po ashtu, dje zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, e ka konfirmuar që anëtarët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje nga KKZ’ë në veri.
“Mund t’ua konfirmoj se kemi pranuar dorëheqjet nga katër anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, të cilët janë emëruar më parë nga KQZ si përfaqësues të subjektit politik Lista Serbe. Në mbledhjet e kaluara, KQZ ka funksionalizuar Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, duke caktuar 4 Zyrtarët Ekzekutiv, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së si dhe ka marrë vendim për emërimin e 27 anëtarëve, të cilë përfaqësojnë subjektet politike parlamentare. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen eksklusive dhe udhëzimet e KQZ-së”, tha Elezi dje për Express.