Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se ditëve të fundit ka parë reagime të shumta në lidhje me denoncimin në Këshillin e Etikës të Universitetit të Prishtinës, të disa rasteve për pretendime të ngacmimeve seksuale.
Në postimin e saj në Facebook, ajo ka kërkuar nga Këshilli i Etikës që pa vonesë dhe në mënyrë meritore të trajtojë këto raste.
“Si ministre e Arsimit pres nga Këshilli i Etikës si instancë kompetente dhe e pavarur statutare, që pa vonesë dhe në mënyrë meritore të trajtojë këtë rast dhe të gjitha pretendimet e ngjashme për sjellje që bien ndesh me normat e kodit etik dhe kuadrin normativ. Po ashtu, pres nga UP dhe të gjitha institucionet arsimore, që të rrisin masat e parandalimit e të avancojnë mekanizmat e trajtimit konfident, të shpejtë dhe profesional të këtyre rasteve”, ka thënë Nagavci.