Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rohde: Kosova mos të rrezikojë për anëtarësimin në KiE, ta bëjë këtë hap me Asociacionin

 
   

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde thotë se Qeveria nuk duhet të rrezikojë, ndërsa Kosova synon që të anëtarësohet në Këshillin e Europës muajin e ardhshëm.

Rohde tha se duhet të ketë lëvizje nga Kosova, një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për të krijuar një pozitivitet përpara se Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës ta thotë fjalën përfundimtare në maj për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në KiE.

“Gjermania ka lobuar bukur shumë te shtetet anëtare që këtë aplikim ta çojmë përpara, ta miratojmë, dhe kjo ka ndodhur”, tregoi Rohde.

Ambasadori shtoi se zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për t’ia bartur tokën Manastirit të Deçanit, ka qenë një prej kushteve për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE, por theksoi se nuk duhet të rrezikohet në hapat e radhës.

“Tash kemi një debat në Asamblenë Parlamentare dhe një votim. Dhe kemi thënë se Kosova për mbrojtjen e të drejtave të pakicave është një vend i rëndësishëm, prandaj duhet të jetë pjesë e Këshillit të Europës dhe të shikojmë edhe nga ky institucion se si i implementojmë këto të drejta mbi pakicat kombëtare. Dhe tani vijmë deri te çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Tash na nevojitet një shumicë për këtë çështje dhe Qeveria nuk guxon të rrezikojë, sepse aty kemi, në Këshillin e Ministrave, kemi të bëjmë me secilën votë për ta çuar përpara aplikimin, për ta marrë Kosovën në Këshillin e Europës dhe secila votë është e rëndësishme, sepse aty ka edhe shtete anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën dhe të cilat, vota e tyre dihet se çfarë mund të jetë. Prandaj Kosova duhet të lëvizë. Dua qartas ta them se nuk bëhet fjalë për realizimin e Asociacionit, por për t’u bërë hapa të vazhdueshëm, për të mos u ndalur”, tha Rohde të martën në një intervistë në RTK.

Ai tha se çështja e Asociacionit po pret zbatim qe 10 vjet, dhe se në komunitetin ndërkombëtar ka pritshmëri që Kosova të lëvizë dhe ta bëjë një draft-statut të Asociacionit.

“Për të pasur sukses në Këshillin e Europës, ka një pritshmëri se ka një lëvizje, se do të duhet të ketë edhe një draft të Asociacionit, se do të respektohen të drejtat e pakicave. Prandaj, po mundohem ta qartësoj se neve na nevojitet një shumicë në Këshillin e Europës dhe kjo shumicë arrihet duke lëvizur Qeveria e Kosovës dhe këtë nuk duhet ta rrezikojmë. Për të krijuar një atmosferë pozitive, nuk mjafton të themi vetëm se e kemi bërë çështjen e Manastirit të Deçanit sepse edhe kjo ka ndodhur në momentin e fundit dhe kjo natyrisht që nuk është pritur gjithherë nga të gjitha shtetet si një gjë e mirë. Por e rëndësishme është që shteti i së drejtës duhet të veprojë dhe të gjitha obligimet të implementohen për të arritur në cak”, tha Rohde.

Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se vendi ika plotësuar kushtet për t’u bërë anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës.

Asambleja Parlamentare do të diskutojë për këtë më 16 prill dhe nëse ajo jep dritën e gjelbër, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës në maj.