Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Raport i CIA-s për Kosovën në vitet ‘90: Luftë direkte mes Shqipërisë dhe Serbisë, Turqia do të përfshihej pro shqiptarëve, Greqia…

“Serbia e Madhe: ngatërrestarja e Ballkanit”. Kështu titullohet dokumenti sekret i përpiluar nga agjentët e inteligjencës amerikane gjatë viteve ’90, në të cilin detajohen qartë synimet e regjimit të Millosheviçit për të bërë spastrim etnik në rajonin tonë, kryesisht në Kosovë dhe Bosnje, por edhe në Kroaci, raporton A2CNN.

Ndër këshillat që jepte CIA, se si duhej vepruar për të ndaluar atë që konsiderohej një e keqe e madhe dhe e vazhdueshme për Ballkanin dhe Europën, thuhet:

“Beogradi nuk do të ndalojë në ofrimin e mbështetjes aktive për krijimin e një Serbie të madhe, etnikisht të pastër, përmes forcës, deri sa komuniteti ndërkombëtar të fuqizojë sanksionet strikte të tregtisë, të armatosë Bosnjen dhe Kroacinë, të kryejë sulme ajrore kundër shënjestrave ushtarake serbe në Bosnje, si dhe të fuqizojë një zonë të ndalim-fluturimit në ish-Republikën Jugosllave dhe të kërcënojë me sulme ndaj zonave ushtarake në Serbi.”

CIA vlerësonte në atë kohë se “Serbia e Madhe” do të krijonte trazira dhe shkatërrim mes fqinjëve, duke nisur me spastrimin etnik në Kosovë dhe blerë armë të shkatërrimit në masë si ato kimike.

Inteligjenca amerikane thekson në raportet e saj se Kosova në vitet ’90 ka një popullatë mbi 90 për qind shqiptare, ndërsa vetëm një zonë në veri kishte popullatë serbe.

CIA pasqyronte një panoramë që ngjason dhe me realitetin e tanishëm, ku edhe në vitet ’90, perëndimi përdorte metodën e karotës dhe shkopit për të qetësuar Beogradin, por që rezultati ishte bombardimi i Serbisë për të shmangur një luftë edhe më të madhe.

Ndër skenarët që shqyrtohen, është dhe ai i përplasjes direkte mes Shqipërisë dhe Serbisë.

“Forcat e armatosura të Shqipërisë kanë rreth 65 mijë trupa dhe planet e Ministrisë së Mbrojtjes përcaktojnë mundësinë e mobilizimit të mbi 400 mijë burrave në një krizë.”

Por vlerësohet se ushtria e Shqipërisë do ta kishte vështirë që t’i bënte ballë forcave serbe me armë të sofistikuara. Në këtë skenar parashikohej një përfshirje e Turqisë në mbështetje të Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa Greqia nga ana tjetër do të ishte kundër.

Në një tjetër dokument sekret të vitit ‘93, CIA mbështet qëndrimin e ish-presidentit Bush, se në rast konflikti të shkaktuar nga veprimet e Serbisë, Shtetet e Bashkuara do të jenë të përgatitur për të angazhuar fuqi ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe madje në Serbi.