Një 19-vjeçar është vënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi kryente manovra të rrezikshme pranë një shkolle në kryeqytet.
Adoleshenti me inicialet L.L, gjithashtu drejtonte makinën pa patentë, si dhe nga testimet, rezultoi se kishte konsumuar kokainë.
Lidhur me ndalimin e tij, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla.
“Policia Rrugore Tiranë falë bashkëpunimit me drejtuesit e një shkolle në Tiranë ka parandaluar incidente të mundshme rrugore. Një nxënës (+18 vjeç) është ndaluar nga Policia ndërsa kryente manovra të rrezikshme me automjet në afërsi të shkollës.
Pas verifikimeve të kryera ndaj këtij shtetasi rezultoi të ishte nën efektin e drogës, si dhe i pa paisur me leje drejtimi. Për pasojë u ndalua në flagrancë për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal. Nxis publikun të njoftojë gjithmonë Policinë e Shtetit, sa herë konstatojnë manovra apo sjellje të rrezikshme në rrugë”, shkruan Balla në rrjetet sociale.