Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka mirëpritur në takim ministrin e Jashtëm të Maltës, njëherësh kryesuesin e OSBE-së Ian Borg.
Në takim u diskutua rreth sukseseve të Kosovës gjatë këtyre tri vjetëve të qeverisjes së Kurtit.
Ai shprehu vlerësimin për kontributin e vazhdueshëm të OSBE-së në promovimin e qeverisjes demokratike.
” Kurti përmendi raportet ndërkombëtare që dëshmojnë avancimin demokratik të vendit tonë, si dhe veçoi progresin ekonomik, me fokus në rritjen e qëndrueshme, shpërndarje të barabartë për të gjithë qytetarët dhe zvogëlimin e pabarazive”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
“Mes temave të trajtuara ishin dhe sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar por edhe bashkëpunimi në kuadër të sfidave të tjera të përbashkëta”, thuhet tutje në njoftim.
Në lidhje me marrëdhëniet bilaterale mes shtetit të Kosovës dhe Maltës, u riafirmua bashkëpunimi i ngushtë mes dyja vendeve, e ku ministri Borg theksoi se Malta mbetet një shtet partner dhe mik i Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, shefi i qeverisë e falënderoi kryediplomatin e Maltës, për bisedën e frytshme dhe pikëpamjet e ndara, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj vizite në Kosovë, e cila kontribuon në thellimin e bashkëpunimit.
Ndër të tjera, Ian Borge, shprehu kënaqësinë të vizitojë vendin tonë, për të mësuar më shumë për partneritetin që ekziston mes OSBE-së dhe qeverisë së Kosovës./ Klankosova.tv