Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla përmes një video-mesazhi i ka bërë thirrje qytetarëve nga diaspora që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë, shkruan Insajderi.
Gërvalla i ka bërë thirrje të gjithë pjesëtarëve të diasporës që të regjistrojnë vetën dhe anëtarët e tyre të familjes, dhe të bëhen pjesë e këtij procesi të rëndësishëm për planifikimin e së ardhmes sonë të përbashkët.
“Regjistrimi i të gjithë qytetarëve që janë lindur në Kosovë ose që kanë prejardhje nga Kosova, por që jetojnë jashtë Kosovës mund të bëhet përmes formularit online që gjendet në: ediaspora.rks-gov.net”.
Moduli i regjistrimit të diasporës po implementohet në kuadër të platformës eDiaspora, dhe përfshinë iniciativën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës për mbështetjen e procesit të regjistrimit të pjesëtarëve të Diasporës.
Regjistrimi i Popullsisë realizohet nga data 5 prill deri më 17 maj 2024, dhe përfshinë një prej proceseve më të rëndësishme zhvillimore për vendin. Diaspora është pjesë integrale e shoqërisë kosovare, andaj pjesëmarrja e çdo pjesëtari të Diasporës është kontribut i drejtpërdrejtë për këtë proces të rëndësishëm për vendin.