Lëvizja Feministë Studentore bënë thirrje për të gjithë stafin akademik, administrativ e teknike të UP-së, për të gjithë studentet e studentet, punëtoret e punëtorët që të bashkohen në rezistencën e tyre kundër ngacmimeve seksuale dhe kërkesës për hapësira të sigurta për vajzat dhe gratë në Universitetin e Prishtinës. Gjithashtu, ato bënë një aksion simbolik para Rektoratit të UP-së, duke vendosur një baner pran këtij institucioni me mbishkrimin: Çmimi vjetor për mungesë të etikës ndaj Këshillit të Etikës të UP-së, duke përmendur emrat e pjesëmarrësve të Këshillit të Etikës, Ismet Morina, Arben Hajdari, Skender Muji dhe Rrezart Galica.
Lëvizja, është deklaruar se profesori i cili është denoncuar 27 herë për ngacmime seksual në Fakultetin e Edukimit, Xhevat Krasniqi nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përjashtohet nga UP-ja.
Anëtarja e Lëvizjes Feministë Studentore, Blenda Asllani ka thënë se këtë ‘çmim’ po e ndajnë pasi që këshillit nuk i kanë mjaftuar as një muaj kohë, as dëshmitë e palëve, as tri seanca për të shqyrtuar rastin për të përjashtuar Xhevat Krasniqin, i cili është duke ligjëruar lirshëm në Fakultetin e Edukimit.
Asllani: Këshillit të Etikës nuk i mjaftuan as 1 muaj kohë për të shqyrtuar rastin Krasniqi
“Sot, ‘çmimin’ vjetor për mungesë të etikës ia ndamë organit më joprofesional në Universitetin e Prishtinës, Këshillit të Etikës. Këshillit, i cili ka histori me neglizhim, trajtimin joserioz të rasteve e me dënime skandaloze për shkeljet që konstaton, nuk i mjaftuan as 1 muaj e gjysmë kohë, as dëshmitë e palëve e as 3 seanca që shqyrtuan rastin për ta përjashtuar 27 herë të denoncuarin për ngacmim seksual, Xhevat Krasniqi, duke e lënë kështu të lirshëm të ligjëroj në Fakultetin e Edukimit, ku shumica e studenteve janë vajza…. I rikujtojmë se në luftën kundër ngacmimeve seksuale nuk ka neutralitet, ose rreshtohesh me ngacmimin dhe ngacmuesit seksual ose je kundër tyre…. Xhevat Krasniqi, për të cilin tashme edhe Policia e Kosovës ka nisur hetimet, ka me u përjashtuar prej UP-së, zgjidhje tjetër nuk ka”, ka thënë Asllani.
Asllani, ka përmendur se nga protesta që është mbajtur dje para Rektorati të UP-së, ku në të njëjtën kohë Këshilli i Etikës po mbante mbledhje, ka aktivistë dhe aktiviste me lëndime trupore nga dhuna e Policisë së Kosovës, për të cilën disa prej tyre kanë kërkuar trajtim mjekësorë.
Asllani: Disa prej aktivistëve dhe aktivisteve kanë pësuar lëndime trupore
“Dhuna policore dje ka qenë jo proporcionale dhe numri i zyrtarëve policorë ka qenë jo proporcional me numrin e protestuesve. Dje kemi pasur ndërprerje të dhunshme të protestës e cila ka qenë rezistencë paqësore dhe përveç se është arrestuar një nga aktivistët, disa prej aktivistëve dhe aktivisteve të tjera kanë pësuar lëndime trupore si ënjtje dhe mavijosje dhe për të cilën disa prej tyre kanë kërkuar trajtim mjekësorë”, ka deklaruar ajo.
Lëvizja Feministë Studentore ka paralajmëruar se nëse nuk përjashtohet Xhevat Krasniqi, do të ketë përshkallëzim të formës së protestës dhe bojkotim të procesit mësimorë.